Edhe në ditën e dhjetë të protestës para institucioneve të Kosovës, qytetarët kanë vazhduar të kërkojnë mbështetje institucionale për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Me gjithë shiun, protestuesit janë mbledhur sërish në Prishtinë, duke përsëritur kërkesat e tyre dhe duke kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë ligjin për Gjykatën Speciale që tashmë është dërguar në Kuvend.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, tha se për dhjetë ditë me radhë protestuesit janë duke kërkuar dhe pritur, ndërsa theksoi se kërkesat e tyre tashmë janë të qarta.
Haziri: Ligji është dërguar në kuvend, secili deputet le ta japë votën me bindjen e vet
“Sot u mbushën 10 ditë që takohemi këtu e që flasim, që kërkojmë e që presim, sonte edhe në shi jemi prapë këtu. Kërkesat tona tashmë dihen: kërkesa për dorëzimin e ligjit, është dërguar në kuvend, secili deputet le ta japë votën me bindjen e vet, por duhet ta votojnë, sepse nuk mundeni ta mbani këtë pezull dhe gjithë njerëzit të lodhen. Ne nëse duhet do të jetojmë në shesh e nëse fillojmë, ku do të jetoni ju? Mos harroni nëse ne jetojmë këtu, ju nuk mund të rrini të qetë duke menduar që heshtja do të mbyllë këto çështje, sepse UÇK nuk është pjesë e politikës ditore e qysh e tha sot ministrja e Drejtësisë. UÇK është historia që ne sot kemi institucione e ministra, prandaj kjo histori meriton mbështetje institucionale e jo heshtje”, tha ai.
Në protestë foli edhe studentja Anisa Rukiqi, e cila tha se drejtësia është një nga shtyllat mbi të cilat ndërtohet liria dhe dinjiteti i një populli. Ajo e lidhi qëndrimin e saj edhe me përvojën familjare, duke treguar se gjyshi i saj ishte vrarë gjatë luftës.
Rukiqi: Luftën nuk e di veç prej librave, por edhe prej dhimbjes së familjes që e kam
“Drejtësia është shtylla me të cilën ndërtohet liria, dinjiteti dhe e ardhmja e një populli, por sot përballë këtij vendimi absurd ndaj çlirimtarëve tanë po përballemi me paradoksin më të madh: njerëzit që kapën armën për të mbrojtur një popull nga shfarosja, ne sot frymojmë lirshëm, por dënohen nga një e ashtuquajtur drejtësi. Unë kam gjyshin martir, ai është vrarë në oborrin e shtëpisë, prandaj luftën nuk e di veç prej librave, por edhe prej dhimbjes së familjes që e kam”, u shpreh ajo.
Ndërsa, këngëtarja Violetë Kukaj tha se protestuesit janë mbledhur për një kauzë që duhet të vazhdojë të mbështetet edhe në ditët në vijim.
Kukaj: Gjithmonë të jemi bashkë për të mbrojtur luftën e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
“Jemi mbledhur këtu për kauzën tonë, por jo vetëm sot, por gjithmonë të jemi bashkë për të mbrojtur të drejtën tonë, për luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo.
Burimi: botasot


