Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Hoti ka shprehur pakënaqësi për vendimin, duke theksuar se ende nuk ka drejtësi për babain e tij, Ukshin Hotin, dhe për viktimat e tjera të luftës.
Ai ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe dinjitet, ndërsa ka thënë se duhet pritur vendimi i shkallës së dytë.
“Jo në emër tim”, ka përfunduar Hoti reagimin e tij.
Postimi i plotë:
JO NË EMËR TIM.
Sot u dhanë dënime të rënda për shqiptarët që i dolën zot vendit të tyre, në një kohë kur Kosova po digjej, familjet tona po masakroheshin dhe një popull i tërë po dëbohej nga shtëpitë e veta.
Hashim Thaçi. Kadri Veseli. Rexhep Selimi. Jakup Krasniqi.
Ndërkohë, unë ende pres të vërtetën dhe drejtësinë për babain tim.
Kanë kaluar 27 vjet.
Askush nuk është gjykuar.
Askush nuk është dënuar për zhdukjen e tij.
Askush nuk është dënuar për torturat dhe keqtrajtimin ndaj tij.
Dhe babai im është vetëm njëri prej mijëra rasteve.
Ku është drejtësia për mbi 1300 fëmijët shqiptarë të vrarë e të zhdukur?
Ku është drejtësia për mbi 13 mijë civilët e vrarë?
Ku është drejtësia për 20 mijë gratë e dhunuara?
Ku është drejtësia për të zhdukurit, familjet e të cilëve edhe sot presin një varr ku të vendosin një lule?
Ku janë gjykimet për njerëzit që kryen masakra, që dogjën shtëpi, që përdhunuan, që morën njerëz të gjallë dhe i zhdukën pa gjurmë?
Sot drejtësia dha dënime politike.
Drejtësia e vërtetë për viktimat tona vazhdon të mungojë.
Në këto momente të rënda, i bëj thirrje popullit për qetësi, maturi dhe dinjitet. Zemërimi ynë është i madh, por Kosova ka nevojë për urtësinë tonë. Ta presim vendimin e shkallës së dytë dhe ta vazhdojmë kërkesën për drejtësi me kokën lart.
JO NË EMËR TIM.
Burimi: botasot

