Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për qëndrimet e Malit të Zi dhe Shqipërisë ndaj rezolutave që lidhen me të kaluarën e Serbisë në rajon ka nxitur reagimin e publicistit dhe ish-diplomatit Xhevat Mustafa. Gjatë një ceremonie përkujtimore në Mrkonjiç Grad, Vuçiq deklaroi se Mali i Zi ka votuar katër herë rezoluta që, sipas tij, e kanë akuzuar dhe dënuar Serbinë, ndërsa theksoi se Shqipëria nuk e kishte votuar rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë.
Në reagimin e tij në Facebook, Mustafa e vendos këtë deklaratë në kontekstin e politikës së kryeministrit Edi Rama ndaj Beogradit, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin e Tiranës zyrtare ndaj së kaluarës së Serbisë dhe marrëdhëniet politike Rama–Vuçiq. Ai argumenton se diferenca e theksuar nga vetë presidenti serb mes qëndrimeve të Malit të Zi dhe Shqipërisë meriton një diskutim më të gjerë mbi politikën e jashtme të Tiranës dhe mënyrën se si ajo është pozicionuar ndaj Serbisë dhe çështjes së Kosovës, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Vuçiq “flet SHQIP” për të lavdëruar Edi Ramën…!?
Mali i Zi, 4 rezoluta për genocid kundër Serbisë, Shqipëria asnji…!?
Më 29 shtator 2026, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Qeveritë e Malit të Zi kanë votuar 4 rezoluta akuzimi dhe denoncimi publik të Serbisë si shtet dhe si popull genocidist ndaj Malit të Zi! Këtë fakt apo të vërtetë ai e bëri të ditur gjatë ceremonisë qendrore në Mrkonjiç Grad, në kuadër të Ditës së Përkujtimit të viktimave dhe të dëbuarve nga operacioni “Oluja”.
Vuçiq theksoi kritiken ndaj Malit të Zi: “…jo një herë, jo dy, jo tre, por katër herë”!
Ndërsa, duke iu referuar Shqipërisë, presidenti serb tha se “Tirana nuk e kishte votuar rezolutën për genocidin serb në Kosovë!” Pra, edhe sipas vetë Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Qeveritë e Malit të Zi, duke qenë me më shumë fije gjaku, fetare, historike, trashëgimie, kulturore… të lidhura me Serbinë, kanë votuar 4 rezoluta akuzimi dhe denoncimi publik të Serbisë si shtet dhe popull genocidist ndaj popujve fqinjë në Ballkan!? Ndërsa qeveritë e Shqipërisë nuk e kanë dënuar publikisht me asnjë rezolutë në parlament dhe nuk e kanë paditur as në Gjykatën Speciale të Hagës!? Si mund të shpjegohet dhe interpretohet ky fakt shprehës dhe demaskues për qeverisjet socialiste të Shqipërisë, prej 13 vitesh me kryeministër Edi Ramën? Si atavizëm nga 8 nëntori 1941 e më herët apo më shqip si shprehje e si dëshmi vëllazërie Tito- Enver – Ramiz; Fatos Nano- Milosheviç; Edi Rama- Aleksandar Vuçiq…?
Për më tepër dhe më keq, qeveritë e Partisë Socialiste të Shqipërisë nuk kanë votuar, miratuar dhe kanë hedhur poshtë edhe rezolutat e propozuara nga PD…!? Shumë kush nga SHQIPTARËT me zemra e vepra e jo nga dokumentet e identifikimit mund të bëjë me vete e me zë pyetjen: përse nuk ka dashur dhe nuk ka guxuar Edi Rama me qeveritë e tij të dënojnë Serbinë me një rezolutë, qoftë sa me la gojën dhe me u hedh hi apo miell kanabizi në sy?! Mos vallë Edi Rama e ka të vështirë të mendojë e jo më ta përjetojë që miku i tij Aleksandar Vuçiq të reagojë me zemërim ndaj tij??? Si psh., duke mos pranuar t’i japë dorën, ta përqafojë, të ulet në një tavolinë për bisedime e dreka e darka me atë, sidomos për të qarë hallet se si mund ta rilindin “Ballkanin e hapur”??? Apo për të pirë një filxhan kafe, një gotë verë të mirë ose shlivovicë…?
Burimi: botasot


