Dhjetë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot në rrugën Pejë–Prishtinë, më saktësisht në fshatin Rixhevë të Komunës së Klinës.
Në aksident janë përfshirë një autobus dhe një kamion, ndërsa si pasojë e përplasjes disa persona kanë pësuar lëndime trupore.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i të lënduarve është dhjetë.
Sipas tij, në mesin e personave të lënduar është edhe shoferi i autobusit, ndërsa të gjithë të lënduarit kanë kërkuar ndihmë dhe trajtim mjekësor.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve dhe rrethanat që çuan deri te aksidenti.
Policia pritet të japë më shumë informacione pas përfundimit të veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.
Burimi: botasot


