Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar 28-vjetorin e zhdukjes së aktivistit Xhavit Haziri, i cili më 17 shtator 1998 u rrëmbye, sipas dëshmive të rastit, nga pjesëtarë të shërbimit të fshehtë serb dhe që prej atëherë mbetet i pagjetur.
Kurti bëri homazhe pranë shtatores së Hazirit në Obiliq, duke nderuar veprimtarinë e tij politike dhe patriotike.
Ai theksoi se Haziri, i cili kishte vuajtur burgim pas angazhimit të tij politik, ishte pjesëtar i shquar i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fund, Kurti e cilësoi atë si hero të Kosovës dhe dëshmor të lirisë, duke shprehur nderim për veprën e tij.
Postimi i plotë:
28 vite më parë, aktivisti i shquar Xhavit Haziri, u rrëmbye nga autoritetet e sigurisë së Serbisë dhe u zhduk dhunshëm, duke ngelur i pagjetur që nga atëherë.
Për ta kujtuar jetën dhe nderuar veprën e Xhavit Hazirit, bëmë homazhe pranë shtatores së tij në Obiliq, në përvjetorin e zhdukjes së tij më 17 shtator të vitit 1998. Atë ditë, që ishte e enjte sikur edhe sot, Xhavit Haziri kishte dalur nga shtëpia e tij për të shkuar në zyrat e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë ku punonte. Kur po kalonte afër Xhamisë së Llapit, dy zyrtarë të shërbimit të fshehtë të Serbisë, e rrëmbyen dhe e futën në makinën e tyre të markës “Golf” me ngjyrë të bardhë. Dëshmitarët e rastit, kanë deklaruar që kjo makinë lëvizi në drejtim të rrugës ku gjendej Medreseja e Prishtinës. Katër ditë më pas, më 21 shtator, familjarët e raportuan të zhdukur Xhavit Hazirin në media, por ai ka mbetur i zhdukur që nga ajo kohë deri sot.
Me origjinë nga Druari i Vushtrrisë, aktivisti Xhavit Haziri (1960) ishte shkolluar në Obiliq kurse kishte mbaruar studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës. Që pas demostratave të vitit 1981, Xhavit Haziri u angazhua aktivisht në përafrimin dhe bashkimin e organizatave të fshehta politike në Kosovë, periudhë kjo gjatë të cilës, ai vuajti dënim me burg nga viti 1986 deri më 1990.
Pas lirimit nga burgu, Xhavit Haziri e vazhdoi aktivitetin e tij politik dhe patriotik në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si një nga pjesëtarët më të shquar të këtyre dy organizatave.
Heroi i Kosovës dhe dëshmori i lirisë së saj, Xhavit Haziri, do të kujtohet për angazhimin e tij patriotik ndër shokë në historinë e betejave të popullit të Kosovës për liri. Lavdi
Burimi: botasot


