Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, duke rikujtuar ngjarje dhe figura të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Në një postim në Facebook, Konjufca ka sjellë në vëmendje kujtimet e poetit Lasgush Poradeci për kremtimet e 28 Nëntorit në Bukuresht, ku flamuri kuqezi simbolizonte bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht dallimeve krahinore.
Ai ka përmendur edhe Kongresin e Manastirit të vitit 1908 dhe rolin e At Gjergj Fishtës, i cili kishte folur për rrezikun e copëtimit të Shqipërisë dhe nevojën e mbrojtjes së atdheut.
Konjufca ka rikujtuar gjithashtu bashkëpunimin e shqiptarëve të besimeve të ndryshme në shërbim të gjuhës dhe identitetit kombëtar, duke përmendur përqafimin mes At Gjergj Fishtës dhe Hafëz Ibrahim Efendiut pas fjalimit të fratit shqiptar në Kongresin e Manastirit.
Më tej, ai ka ndërlidhur 28 Nëntorin me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke përmendur mësuesin Sali Gjuka nga Peja, i cili ishte njëri nga nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë më 28 nëntor 1912.
Një pjesë të veçantë të mesazhit ia ka kushtuar edhe komandantit legjendar Adem Jashari, i cili lindi më 28 nëntor 1955 dhe u flijua bashkë me familjen e tij për lirinë e Kosovës. Konjufca ka rikujtuar se pikërisht në ditëlindjen e Jasharit, më 28 nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli për herë të parë publikisht.
Në fund, Konjufca ka bërë thirrje për bashkim rreth flamurit kombëtar, duke theksuar se ai përfaqëson një simbol që i tejkalon dallimet dhe i bashkon shqiptarët kudo që ndodhen.
“Le të na bashkojë gjithnjë 28 Nëntori”, ka shkruar ai.
Burimi: botasot


