“Nga vota në Kuvend te zbatimi në Hagë” – Sa peshë juridike kanë ndryshimet për Specialen?

October 6, 2026
7 mins read

Mospjesëmarrja e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ka hapur një debat të ri juridik dhe politik, pas zhvillimeve të tensionuara të së hënës në Kuvendin e Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme të 5 tetorit, Kuvendi e miratoi në lexim të parë projektligjin me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.

Votimi u zhvillua në një atmosferë të tensionuar edhe jashtë objektit të Kuvendit, ku prej orëve të mëngjesit ishin mbledhur protestues me kërkesën që ndryshimet në Ligjin për Specialen të miratoheshin.

Përderisa protestuesit kërkonin miratimin e ndryshimeve, LDK-ja zgjodhi të mos bëhej pjesë e votimit. Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu argumentoi se një ndryshim i ligjit të zakonshëm nuk mund të shfuqizojë detyrimet ndërkombëtare dhe as të anashkalojë Kushtetutën, ndërsa theksoi se rruga për ndryshimin e një aktgjykimi është ajo gjyqësore, përmes apelit.

Kjo ka rikthyer në qendër të debatit pikërisht çështjen e efektit juridik të projektligjit. Nëse Kuvendi miraton ndryshime në ligjin vendor, deri ku mund të zbatohen ato nga Dhomat e Specializuara? A mund të ketë një ligj i miratuar nga Kuvendi efekt mbi një proces gjyqësor që zhvillohet në kuadër të një mekanizmi të veçantë juridik? Dhe, nëse ekzistojnë paqartësi të tilla, a ishte mospjesëmarrja në votim rruga e vetme për LDK-në?

Pikërisht këtu ndahen edhe qëndrimet e juristëve. Avokati Gazmend Halilaj argumenton se problemet juridike duhet të trajtohen brenda procesit parlamentar, përmes amendamenteve, ekspertizës dhe sqarimit të mekanizmave të zbatimit, ndërsa juristi Blerim Burjani ngre pikëpyetje nëse ekziston ndonjë garanci se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi do të zbatohen nga Dhomat e Specializuara dhe çfarë pasojash mund të ketë një përplasje e tillë juridike.

Halilaj: Problemet juridike duhet të adresohen në Kuvend

Fillimisht, avokati Gazmend Halilaj, vlerëson se debati për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk duhet të reduktohet vetëm në pretendimin se nisma “nuk ka efekt juridik”.

Sipas tij, nëse ekzistojnë kufizime në zbatimin e një ligji për shkak të kornizës kushtetuese dhe detyrimeve ndërkombëtare, këto çështje duhet të sqarohen përmes mekanizmave juridikë dhe institucionalë.

“Debati për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk duhet të reduktohet në deklarata politike se ‘nuk ka efekt juridik’. Pikërisht këtu duhet të kërkohet argumenti: nëse një ligj i miratuar nga Kuvendi mund të ketë kufizime në zbatim për shkak të kornizës kushtetuese dhe detyrimeve ndërkombëtare, atëherë këto çështje duhet të sqarohen juridikisht dhe institucionalisht, jo të përdoren si arsye për të mos marrë pjesë fare në votim”, ka deklaruar Halilaj.

Ai në prononcimin për “Bota sot” rikujton se më 5 tetor Kuvendi e miratoi në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa LVV-ja deklaroi se, ndonëse kishte qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, e mbështet në parim këtë nismë. PDK-ja, si propozuese e projektligjit, ka argumentuar se ndryshimet synojnë që mandati i Dhomave të Specializuara të zbatohet brenda qëllimit për të cilin janë themeluar.

Ndërkaq, LDK-ja zgjodhi të mos marrë pjesë në votim, duke argumentuar se një ligj i zakonshëm nuk mund të shfuqizojë detyrimet ndërkombëtare apo të anashkalojë Kushtetutën dhe se rruga për ndryshimin e një aktgjykimi është ajo gjyqësore.

Image

Gazmend Halilaj

Halilaj ngre pikëpyetjen nëse mospjesëmarrja në votim ishte alternativa e vetme përballë shqetësimeve juridike.

“Por këtu lind pyetja thelbësore: pse mospjesëmarrja në votim duhet të jetë alternativa e vetme?”, shprehet ai.

Sipas tij, nëse ekzistojnë probleme juridike me projektligjin, ato mund të adresohen gjatë shqyrtimit parlamentar, përmes amendamenteve, ekspertizës kushtetuese, konsultimit me ekipet mbrojtëse dhe përcaktimit të qartë të mekanizmave të zbatimit.

“Nëse ekzistojnë probleme juridike me projektligjin, ato mund të adresohen gjatë shqyrtimit parlamentar: përmes amendamenteve, ekspertizës kushtetuese, konsultimit me ekipet mbrojtëse dhe përcaktimit të qartë të mekanizmave të zbatimit. Madje, vetë procesi parlamentar mund të shërbejë për t’i identifikuar dhe korrigjuar këto probleme”, ka thënë Halilaj.

Ai thekson se edhe argumenti se votimi nuk mund të ndryshojë një aktgjykim nuk e mbyll debatin juridik.

“Edhe pretendimi se ‘votimi nuk mund të ndryshojë një aktgjykim’ nuk e mbyll domosdoshmërisht debatin. Projektligji i propozuar nuk paraqitet si një vendim gjyqësor që zëvendëson apelin, por si një përpjekje për të ndryshuar kuadrin ligjor të Kosovës”, shprehet ai.

Sipas Halilajt, çështja kryesore juridike është të përcaktohet se deri ku mund të zbatohen ndryshimet e propozuara në raport me kompetencat dhe detyrimet ekzistuese të Dhomave të Specializuara.

“Çështja juridike është nëse dhe deri ku këto ndryshime mund të zbatohen në raport me kompetencat dhe detyrimet ekzistuese të Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar ai.

Halilaj vlerëson se debati duhet të përqendrohet në përmbajtjen konkrete të projektligjit dhe në mundësinë për ta bërë atë juridikisht të zbatueshëm.

“Prandaj, pyetja për deputetët nuk duhet të jetë vetëm ‘a e mbështetni apo jo këtë projektligj?’, por: a jeni të gatshëm ta shqyrtoni, ta përmirësoni dhe ta bëni juridikisht sa më të zbatueshëm?”, thekson ai.

Në këtë drejtim, ai thotë se qytetarët duhet të kenë të qartë se cilat dispozita mund të zbatohen dhe cilat mund të përplasen me Kushtetutën apo detyrimet ndërkombëtare.

“Në fund, qytetarët meritojnë më shumë se deklarata politike. Meritojnë të dinë konkretisht: cilat nene janë të zbatueshme, cilat mund të bien ndesh me Kushtetutën ose detyrimet ndërkombëtare dhe çfarë mekanizmi juridik mund ta bëjë një zgjidhje të qëndrueshme”, ka përfunduar Halilaj.

Burjani: Nuk ka garanci se ligji do të zbatohet nga Specialja

Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani shpreh shqetësime lidhur me zbatimin e projektligjit nga Dhomat e Specializuara dhe pasojat eventuale ndërkombëtare për Kosovën.

Sipas tij, aktualisht nuk ka garanci se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi do të zbatohen nga Specialja.

Image

Blerim Burjani

“Se a do të zbatohet ky ligj nga Gjykata Speciale, nuk ka asnjë garanci. Deri më tash, nuk ka reagim fare për tentativën e ndryshimit të ligjit dhe për pasojat e kësaj gjykate. Pra, ka heshtje të plotë”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.

Ai ngre pikëpyetje edhe për rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces, duke argumentuar se BE-ja nuk ka mandat për të ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin e Dhomave të Specializuara.

“BE-ja nuk ka mandat fare të merret me Gjykatën. BE-ja nuk ka themeluar asnjëherë gjykata të këtij lloji”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, një reagim eventual ndërkombëtar do ta komplikonte më tej situatën, ndërsa për momentin nuk dihet se si do të reagojnë Dhomat e Specializuara ndaj ndryshimeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

“Kjo do të thotë se, nëse merret shumë seriozisht nga BE-ja, atëherë duhet t’i kalojë OKB-së, që është shumë më keq. Njëherë përnjëherë, nuk dihet asgjë se çfarë reagimi do të bëjnë Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.

Burjani paralajmëron se mbetet e paqartë edhe se cilat mund të jenë pasojat ndërkombëtare për Kosovën nëse ndryshimet ligjore nuk pranohen ose nuk zbatohen nga Dhomat e Specializuara.

“As nuk dihen pasojat ndërkombëtare për Kosovën në rast se kjo ndodh. Për momentin, askush nuk e di se si do të ndikojë ky ligj në tribunale speciale”, ka përmbyllur Blerim Burjani për “Bota sot”.

Kështu, përderisa njëra palë e sheh procesin parlamentar si hapësirë për të adresuar dhe korrigjuar problemet eventuale juridike të projektligjit, pala tjetër ngre pikëpyetje mbi vetë mundësinë e zbatimit të tij nga Dhomat e Specializuara.

Në këtë situatë, mbetet e hapur çështja nëse ndryshimet e miratuara nga Kuvendi do të kenë efekt praktik në raport me Specialen dhe nëse institucionet e Kosovës do të marrin garanci apo sqarime juridike lidhur me zbatimin e tyre.

Burimi: botasot

VERO JUMBO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

Претходно

Коњановски: Битолските ученици со иновативно решение за почист воздух во училиштата

Следно

Укинување на забраната за нуклеарно оружје во Литванија?

Latest from Blog

ВЛЕН: 428 полицајци Албанци добија унапредување во МВР

Во изминатите две и пол години, во рамки на Министерството за внатрешни работи биле реализирани мерки насочени кон зголемување на застапеноста и унапредувањето на Албанците, нови вработувања и децентрализација на административните услуги,

Божиновска: Со новите интерконекции ја зголемуваме енергетската сигурност на Македонија

Министерката за енергетика, рударство и минерални суровини Сања Божиновска денеска во Белград учествуваше на вториот министерски состанок на Македонија, Србија, Грција и Бугарија, посветен на регионалната енергетска соработка и зајакнувањето на

Укинување на забраната за нуклеарно оружје во Литванија?

За предложениот амандман гласаа 106 од вкупно 141 пратеник, а второто гласање е закажано за 12 јануари, пренесе Ројтерс. За усвојување на амандманот е потребно двотретинско мнозинство при двете гласања. Литванскиот претседател

Коњановски: Битолските ученици со иновативно решение за почист воздух во училиштата

Градоначалникот на Општина Битола, Тони Коњановски, денеска го посети економското училиште „Јане Сандански“, каде е целосно реконструирана една училница и е набавен нов училишен мебел. Инвестицијата е реализирана преку јавна набавка во

Божиновска: Со Србија, Грција и Бугарија ја продлабочуваме регионалната енергетска соработка

Министерката за енергетика, рударство и минерални суровини Сања Божиновска денеска учествува на Вториот министерски самит во Белград, каде со колегите од Србија, Грција и Бугарија разговара за конкретни чекори за зајакнување на
Go toTop