Shpëtim Hajdaraj, djali i veprimtarit të LDK-së, Smajl Hajdaraj, ka bërë thirrje për zbardhjen e vrasjeve politike, duke rikujtuar atentatin ndaj Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt.
Në një shkrim në Facebook, ai ka theksuar se ata u vranë për shkak të punës së tyre në hetimin e vrasjeve politike në rajonin e Dukagjinit.
Hajdaraj ka kërkuar nga institucionet që të veprojnë me vendosmëri për zbardhjen e këtyre rasteve dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë, duke theksuar se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre është detyrim shtetëror, transmeton “Bota sot”.
Shkrimi në Facebook:
Pa koment.
(Me shikim drejt Smajlit, Sebahates, Isufit, Tahirit, Besimit, Bekimit dhe Ukës, në odën e Demë Tolajt, në përkujtim të Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, ish-luftëtarë të UÇK-së dhe policë hetues, të vrarë në një atentat për shkak të punës së tyre fisnike dhe shtetformuese: hetimin e vrasjeve politike në rajonin e Dukagjinit.
Fatkeqësisht, vrasësit dhe urdhërdhënësit u dëshmuan më të fuqishëm se vetë shteti. Vrasja e tyre synonte të përcillte një mesazh të frikshëm: “Kushdo që guxon t’i hetojë këto vrasje, do të vritet!”
Sot, më shumë se kurrë, shteti duhet të dëshmojë se ky mesazh nuk do të mbetet më realitet. E inkurajojmë që të mos e vazhdojë avazin e vjetër, por të veprojë me vendosmëri për zbardhjen e këtyre vrasjeve dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
Drejtësia për ta është detyrim ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe vetë shtetit.)
Burimi: botasot


