Publicisti Gëzim Mekuli, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për protestat e organizuara në vende të ndryshme të Evropës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Australi, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Mekuli ka theksuar se, nëse synimi i protestave është ndryshimi i aktgjykimit të shkallës së parë, atëherë fokusi duhet të jetë te procesi juridik, institucionet dhe diplomacia.
“Çka duam të arrijmë me protestat tona nëpër Evropë, Amerikë e Australi? Nëse duam drejtësi dhe ndryshim të aktgjykimit të shkallës së parë të Hagës kundër UÇK-së, atëherë, ne shqiptarët, duhet të logjikojmë qartë e pa romantizma se ku mund të prodhohet ky ndryshim. Unë mendoj se drejtësia dhe ndryshimi i këtij aktgjykimi politik nuk arrihet në sheshet, rrugët dhe Bahnhofat e Berlinit, Oslos Romës, Parisit, Stokholmit, Vjenës apo Nju Jorkut, por në procesin juridik, në apel, te avokatët, te institucionet e Kosovës dhe në diplomacinë serioze.
Nuk dua të keqkuptohem; S’po bëjë thirrje kundër protestës; por është një thirrje kundër romantizimit të protestës si instrument i ndikimit politik, në këtë rast në Gjykatën e Hagës.
E them dhe e argumentoj këtë sepse, sot, Perëndimi, hapsira publike e saj, është përballë një mbingarkese të jashtëzakonshme luftërash e konfliktesh; Vetëm në vitin 2025 janë regjistruan 65 konflikte të armatosura në 35 shtete, e ky është numri më i lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1946; Ukraina, Gaza, (Palestina), Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Ngushtica e Hormuzit, Sudani, Irani, Iraku, Siria dhe shumë luftëra e konflikte tjera ‘konkurrojnë’ sahat e dakik, çdo ditë e çdo natë, për vëmendjen politike, diplomatike dhe mediatike”, ka thënë ai.
Më tej, publicisti ka folur edhe për rolin e mediave në përcaktimin e temave që marrin vëmendje në opinionin publik, duke iu referuar konceptit të “agenda-setting”.
“Duke parë këtë lëmsh botërorë këtu hyn edhe ajo që ne, në shkencat e komunikimit, e quajmë agenda-setting; Mediat vendosin se cila temë do jetë temë diskutimi, lajm dhe cila do të tërheqë vëmendjen në opinionin publik. Pra mediat vendosin se cili problem do të bëhet lajm, e cili jo, cilës temë do t’i japin prioritet e cilës jo; Dhe të jeni të sigurtë se media perëndimore sot nuk ka interes e nuk do t’i bëjë të gjitha problemet e dynjasë temë qendrore.
Media përzgjedhë, u jep përparësi dhe përcakton se cilat çështje hyjnë në qendër të vëmendjes publike e politike botërore; Ja një fakt i hidhur; Vetë «Reuters Institute» raporton se publiku perëndimor po përjeton lodhje dhe po i shmanget lajmeve, ndërsa luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme janë lajme negative që e po e mbingarkon publikun perëndimor. Edhe një fakt; Katër në dhjetë njerëz, sipas këtij instituti, thonë se shpesh i shmangin lajmet.
Unë sot pyes organizatorët e padjallëzuar të protestave; çka ndodhë kur në mëngjes në Berlin, Oslo apo në Ëashington, protestojnë palestinezët, pasdite ukrainasit, në mbrëmje iranianët, sirianët dhe pastaj shqiptarët e Kosovës? A ka efekt sot protesta në këtë botë të kallur me dhjetra luftëra, shumë, shumë të rrezikshme”, ka shtuar ai.
Sipas Mekulit, pjesëmarrja e madhe në protesta nuk nënkupton domosdoshmërisht ndikim në politikën e jashtme të shtetit ku ato zhvillohen apo në procesin gjyqësor në Hagë.
“Padyshim se protestat mund të jenë të mëdha, por kjo nuk do të thotë se kjo protestë bëhet automatikisht çështje e politikës së jashtme të shtetit ku zhvillohet apo do të ketë ndikim në aktgjykimin e padrejtë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK’së. Pa një mbulim të rëndësishëm mediatik, pa kërkesa institucionale të Kosovës dhe Shqipërisë dhe pa një veprim konkret drejt vendimmarrësve në Hagë, protesta rrezikon të mbetet një «tigër i padhëmbë».
Dhe bash këtu qëndron argumenti im: Kosova sot nuk është më Kosova e vitit 1999. Atëherë nuk kishim shtet, Kuvend, Qeveri, Presidencë, media dhe as diplomaci shtetërore; prandaj edhe organizonim dhe merrnim pjesë kudo në protesta në sheshet e Berlinit, Bonit, Mainzit, Londrës… Sot e kemi shtetin dhe institucionet, apo jo?
Nuk mund të vazhdojmë të sillemi sikur ende duhet ta bindim dynjan përmes rrugës së protestave dhe flamurit të pavdekshëm të UÇK -së; Sot, ne shqptarët, duhet ta (mirë)përdorim shtetin që kemi ndërtuar me shumë mund e vuajtje që prej 1878-ës”, ka theksuar ai
Mekuli ka sjellë edhe një shembull konkret lidhur me mënyrën se si mund të orientohen resurset e mërgatës në mbështetje të procesit në Hagë.
“Nëse mërgimtarët shqiptarë kanë, fjala vjen, 100 mijë euro për këtë çështje, pyetja ime serioze do të ishte: a është më e mençur t’i shpenzojë për autobusë, flamuj, fjalime, skena dhe protesta njëditore, apo t’i investojë në një ekip të fuqishëm avokatësh, ekspertësh juridikë, komunikimi strategjik dhe lobimi në Ëashington, Bruksel, Londër e Berlin?
Aktgjykimi i 16 shtatorit nuk është përfundimtar dhe rruga e apelit ekziston. Prandaj, ka ardhur koha të largohemi nga patriotizmi i hallakatur, romantizmi dhe politika e emocioneve dhe të kalojmë te politika e dokumentit, argumentit dhe institucionit; Sot, më besoni, nuk na duhen shumë fotografi e as fjalime nga sheshet e stërngarkuara perëndimore me proetsues të shumtë ukrainas, arabë e aziatik; Binduni, neve sot na duhen më shumë juristë, më shumë argumente, më shumë diplomaci, më shumë media serioze dhe më shumë lobim”, ka shtuar ai.
Në fund, Mekuli ka kërkuar që institucionet e Kosovës, të angazhohen më drejtpërdrejt në këtë çështje, ndërsa ka ngritur pyetje edhe për rolin e partive politike.
“Neve na duhet urgjent, shpejtë e një minutë më parë, të ndërtojmë instirucionet e Kosovës dhe t’ja nisim punës përnime e sinqerisht për ti ndihmuar burrat tanë në Hagë.
Konsekuent deri në pikën e fundit: nëse vërtet kërkojmë përgjegjësi për mënyrën se si po trajtohet çështja e UÇK-së në Hagë, a nuk do të duhej që protestat, para se të organizohen në Oslo, Stokholm, Berlin, Paris, Romë apo Nju Jork, të organizohen para selive të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Vetëvendosjes; bile-bile edhe para RTK-së? Sepse dikush duhet të udhëheqë këtë popull e t’ja sqaroj këtij të shkretit se kush janë ata që po e (keq)përdorin UÇK-në si municion politik për klane, grupacione dhe karriera partiake”, ka përfunduar Mekuli.
Burimi: botasot


