Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar në Tiranë që fondet e Bashkimit Evropian të ndahen sipas nivelit të zbatimit të asaj që është dakorduar. Propozimin e bëri në Samitin e Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, pasi komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk do të marrin fonde nga ky mekanizëm në këtë raund.
Kurti arsyetoi vonesat në reforma me zgjedhjet e përsëritura në Kosovë. Sipas tij, “zgjedhjet e përsëritura e ngadalësuan ritmin e reformave”, por me stabilitetin institucional dinamika është përshpejtuar. Ai tha se Kosova do t’i përmbushë të gjitha reformat, përfshirë ato për të cilat fondet janë humbur, sepse ato janë detyrë kombëtare dhe evropiane.
Në fjalimin e tij, Kurti tha se shpërndarja e fondeve evropiane duhet të lidhet me zbatimin e zotimeve nga secili shtet: kush zbaton më shumë nga ajo që është dakorduar, duhet të përfitojë më shumë. Ai theksoi se Kosova i ka ratifikuar të pesë marrëveshjet e mobilitetit, ndërsa Serbia ende nuk i njeh diplomat e lëshuara në Kosovë.

Kos, duke iu drejtuar Kurtit, tha se qeveria e re në Kosovë është mundësi për një fokus të ri në rrugën e vendit drejt BE-së, për të avancuar reformat dhe për të siguruar më shumë fonde. Ajo njoftoi se do ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit. Sipas të dhënave që paraqiti, Shqipëria ka përmbushur 80 për qind të reformave dhe do të marrë 185,6 milionë euro nga Plani i Rritjes, ndërsa Mali i Zi, sipas agjencisë ATSH, ka përmbushur 94 për qind të tyre dhe pritet të marrë 81 milionë euro.
Opozita ka kritikuar Qeverinë për humbjen e fondeve. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se humbja e fondeve të destinuara për qytetarët e Kosovës është një gabim shumë i madh i shumicës që udhëheq sot vendin dhe se ajo do të thotë më pak investime në shkolla, më pak investime kapitale dhe më pak përfitime për qytetarët. Kosova ka ende afat deri më 31 dhjetor për të përmbushur disa nga detyrimet që lidhen me Planin e Rritjes.
Pas samitit, Kurti tha se Kosova e ka merituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe se avancimi i këtij procesi është tashmë urgjent. Ai tha se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, përfaqësuesit e rajonit dhe komisioneren Kos u diskutua për reformat dhe për integrimin gradual të vendeve në Tregun e Vetëm Evropian. Dy ditë më parë, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Kurti kishte kërkuar statusin kandidat për Kosovën.
Burimi: botasot


