KOSTT-i është pajtuar me të gjitha gjetjet e evidentuara në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2025.
Gjatë shqyrtimit të raportit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike deputetët kanë kërkuar zbatimin e rekomandimeve dhe adresimin e mangësive të evidentuara.
Kryeshefi Ekzekutiv në KOSTT, Trim Tërnava, ka thënë se KOSTT-i është pajtuar me të gjitha gjetjet e auditorit dhe se ka hartuar planin e veprimit për adresimin e tyre.
Duke folur për gjetjen A2, që lidhet me trajtimin jo të saktë të provizioneve për rastet gjyqësore dhe korrigjimin e gabimeve, Tërrnava ka thënë se një ndër sfidat kryesore të ndërmarrjes janë kontestet gjyqësore që lidhen me procesin e shpronësimit për linjën e interkoneksionit 400 kilovolt Kosovë-Shqipëri.
“Ka filluar këtë vit, disbursimi i parë i kredisë, edhe e kemi cekur edhe në plan veprime që tash e tutje interpretimi i dhënë nga ZKA-ja do të respektohet 100 për qind. Pak a shumë është problem qysh në kontabilitet është vlerësu, po prapë e gjetura qëndron. KOSTT është pajtuar me të gjitha gjeturat e auditorit. Është gjetja A2, trajtimi jo i saktë i provizioneve për raste gjyqësore dhe korrigjimi i gabimeve. KOSTT ka shumë problem me çështjen e shpronësimit. Dihet linja 400 kilovolt Kosovë-Shqipëri, 92 km përafërsisht janë në pjesën e Kosovës, edhe procesi i shpronësimit kalon përmes Ministrisë së Financave, ku në fund edhe Ministria e Financave vendos për kompensimin e palëve”, tha ai.
Kryetari në këtë komision, Besian Mustafa ka pyetur për kredinë në KfW.
“ E kuptoj natyrën e kredisë në KfW, ajo kredi paguhet nga tatimpaguesit kosovar, paguhen tarifa e komisionit të menaxhmentit ende pa filluar punë, a e kam të saktë që e keni paguar, apo është vetëm çështje kontabël”, ka thënë Mustafa.
Për këtë Tërnava ka thënë se kjo tarifë paguhet menjëherë brenda 30 ditëve pasi të nënshkruhet kredia.
“Kjo tarifë paguhet menjëherë brenda 30 ditëve pasi të nënshkruhet kredia. Ka zgjat tre vjet zgjedhja e kompanisë konsulentë, është një proces që udhëhiqet sipas rregullave të prokurimit të KFV-së”, tha ai.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Mustafa, përmendi çështjen e 72 kontratave të lidhura gjatë vitit 2025, në vlerë të përgjithshme prej 54 mijë eurosh, përmes procedurave me vlerë minimale.
Ai ka kërkuar sqarime nëse përmes ndarjes së furnizimeve të përsëritura dhe artikujve të ngjashëm në kontrata të veçanta është shmangur ndonjë prag ligjor i prokurimit.
“Gjatë vitit 2025 ishin lidhur gjithashtu 72 kontrata në vlerë të përbashkët 54 mijë euro, përmes procedurave në vlere minimale, përfshirë furnizimet të përsëritura dhe artikuj të ngjashëm. Kryeshef dhe kryesues i bordit, si deputet dhe qytetar i Kosovës kur e sheh këtë menjëherë të ndezët një dritë, a është duke i ikë dikush në KOSTT një pragu ligjor atje, sepse, një shumë prej 54 mijë eurove e ndan në 72 kontrata”, ka theksuar Mustafa.
Në përgjigje, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Gëzim Tosuni, ka thënë se edhe bordi ka kërkuar sqarime për këtë çështje, duke shtuar se ligji aktual i prokurimit në disa raste është kufizues për nevojat praktike të ndërmarrjes.
Megjithatë, ai ka theksuar se raporti i auditimit nuk ka identifikuar keqpërdorime.
“Edhe ne kemi kërkuar sqarime. Por, një përgjigje pak më e përgjegjshme që mundet me sqaru një sjellje të tillë është se u përmend pak më herët se KOSTT është pjesë e infrastrukturës kritike, dhe ndoshta nuk na takon neve si bord me e trajtu si çështje, por duhet nivel më të naltë, nuk e di a duhet me u trajtu si ndërmarrjet tjera me ligjin e prokurimit. Ligji i prokurimit në shumë situata është tepër kufizues për nevojat praktike të KOSTT-it….Raporti nuk ka identifikuar ndonjë keqpërdorim, gjitha këto gjetje, që kanë me na ndihmuar neve më u përmirësu tutje”, ka thënë Tosuni.
Për këtë ka reaguar deputeti i LVV-së, Jeton Raka, i cili ka thënë se kufizimet eventuale të ligjit nuk e arsyetojnë moszbatimin e rekomandimeve të auditorit.
“U tha që ligji kufizon, ligji i prokurimit nuk kufizon. A ka nevojë për ndryshim, padyshim se ka nevojë, mirpëo të gjeturat në prokurim duhet me u eliminu këto të gjetura, duhet zbatuar këto rekomandimet e auditorit, për shkak se ka një planifikim në fillim të vitit, ku bëhen planifikimet për gjithë vitin”, tha ai.
Gjatë diskutimit, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Eman Rrahmani ka theksuar se shumica e gjetjeve të evidentuara nga auditori janë të përsëritura dhe jo të reja, gjë që sipas tij tregon mungesën e veprimeve konkrete për të parandaluar përsëritjen e tyre.
“Janë të gjetura të përsëritura shumica, sesa të reja, që dëshmon mosmarrjen e veprimeve konkrete për mos përsëritjen e këtyre”, tha Rrahmani.
Teksti i plotë në sistemin me parapagim.
Burimi: botasot


