Amina Nuraj ka reaguar pas komenteve të këngëtares serbe Jelena Karleusha lidhur me flamurin shqiptar që valëvitet në rrugët e Bujanocit dhe Preshevës.
Përmes një reagimi në Facebook, Nuraj e ka kritikuar Karleushën për atë që e cilësoi si intolerancë ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi.
Ajo theksoi se Serbia nuk është vetëm e serbëve dhe se shqiptarët në këto troje kanë identitetin, gjuhën, kulturën, historinë dhe simbolet e tyre kombëtare.
Nuraj u shpreh se flamuri shqiptar nuk është diçka e re në Bujanoc dhe Preshevë, ndërsa theksoi se shqiptarët nuk do të heqin dorë nga identiteti dhe simbolet e tyre kombëtare për shkak të reagimeve të tilla.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa respektin që na takon. Nuk do ta fshehim flamurin tonë, nuk do të heqim dorë nga identiteti ynë dhe nuk do të kërkojmë falje pse jemi shqiptarë”, ka shkruar ajo.
Reagimi i saj në Facebook:
Jelena Karleusha, këngëtares serbe, duket se i pengon flamuri shqiptar që valëvitet në rrugët e Bujanocit dhe Preshevës. Me komentin tënd po shfaq një nivel shqetësues të intolerancës ndaj popullit shqiptar që jeton në Serbi.
Jelena, edhe ty do të të përgjigjem njësoj si Milicës: Mësoni njëherë e mirë se Serbia nuk është vetëm vendi juaj dhe se në të nuk jetojnë vetëm serbët, por edhe popuj të tjerë që kanë emrin, identitetin, gjuhën, kulturën, historinë dhe simbolet e tyre kombëtare.
Flamuri shqiptar është valëvitur edhe më parë në Bujanoc dhe Preshevë. Kjo nuk është asgjë e re dhe as arsye për kaq shumë shqetësim. Shqiptarët në këto troje nuk kanë ardhur dje dhe nuk do të pushojnë së qeni ajo që janë për shkak të intolerancës së dikujt.
Ju, së bashku me shefin tuaj politik, Aleksandar Vuçiqin, duket se keni dëshiruar ta shndërroni Serbinë në një vend ku do të dëgjohej vetëm një zë, do të shihej vetëm një simbol dhe do të njihej vetëm një identitet kombëtar. Por Serbia nuk është dhe nuk do të jetë kurrë një vend i rezervuar vetëm për një popull.
Prandaj, ta keni të qartë: Shqiptarët nuk do të reshtin së dashuri flamurin, popullin, gjuhën, historinë dhe atdheun e tyre vetëm pse kjo i pengon dikujt. Identiteti ynë nuk është objekt i miratimit tuaj dhe nuk kemi nevojë për lejen tuaj për të qenë ajo që jemi.
E kur na thoni: „Shkoni në Shqipëri“, edhe ne kemi një përgjigje për të gjithë ata që përhapin urrejtje kombëtare: Ju, nacionalistë të mbushur me intolerancë, që nuk mund ta pranoni bashkëjetesën dhe dallimet, pyesni veten nëse pikërisht ju jeni pengesa për bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë.
Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa respektin që na takon. Nuk do ta fshehim flamurin tonë, nuk do të heqim dorë nga identiteti ynë dhe nuk do të kërkojmë falje pse jemi shqiptarë.
Populli shqiptar ka ekzistuar para komenteve tuaja dhe do të ekzistojë edhe pas tyre. Ndërsa flamuri ynë do të valëvitet, pavarësisht se sa shumë ju pengon kjo! 🇦🇱
Burimi: botasot


