Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, ka reaguar pas shkarkimit të Blerim Isufajt, duke komentuar çështjen e anulimit të fletarrestimit për Milan Radojçiqin.
Zogiani ka ngritur pyetje mbi arsyet që, sipas tij, qëndrojnë pas këtij vendimi, duke pretenduar se një rast i tillë në gjykatë do të mund të nxirrte informacione komprometuese për persona nga politika, media dhe biznesi.
“E pse po bëni sikur se keni kuptuar pse Blerim Isufaj anuloi fletarrestin për Radojçiqin?! A thua se qenka vështirë të lidhen dy gjëra!”, ka shkruar Zogiani.
Ai ka pretenduar se persona të caktuar nga lidershipi opozitar kanë pasur lidhje me Radojçiqin për rreth dy dekada.
“Është krejtësisht e qartë se po të vinte një rast i tillë në gjykatë do të kishte tepër shumë informacion diskreditues dhe inkriminues për lidershipin e opozitës dhe madje edhe për njerëz të medias e biznesit”, ka deklaruar ai.
Më tej, Zogiani ka pretenduar se kompani dhe individë të lidhur me Radojçiqin kanë marrë shuma të mëdha parash.
“Njëzet vjet kanë punuar bashkë me Radojçiqin, i cili konsiderohej ‘zot shpie’ në komunat veriore të vendit! Qindra miliona janë marrë nga kompani e individë që kontrolloheshin ose kishin lidhje me Radojçiqin”, ka shkruar ai.
Në fund, Zogiani ka kritikuar mediat dhe komentuesit që, sipas tij, po e trajtojnë si mister arsyen e anulimit të fletarrestimit.
“Kjo dihet dhe është faktografuar, por e çuditshme si kaq shumë komentues e media bëjnë sikur qenka një mister i madh arsyeja e tërheqjes së aktakuzës!”, ka përfunduar Zogiani.
Burimi: botasot

