Në vitin 2025, 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit në Kosovë janë diagnostikuar në fazën e parë ose të dytë të sëmundjes, raporton Ekonomia Online.
Këto te dhena janë bërë të ditur, gjatë një aktiviteti për shënimin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, “Tetori Rozë”.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me ministrin e Shwndetwsisw, Arben Vitia, kanë bërë shpërndarjen e pakove onkologjike për gratë që po përballen me kancerin e gjirit.
Haxhiu tha se qëllimi i këtij aktiviteti është shprehja e solidaritetit dhe mbështetjes institucionale për gratë që po përballen me këtë sëmundje, ndërsa u bëri thirrje grave që të kryejnë kontrollet me kohë.
“Në kuadër të tetorit rozë, pra muajit që ka për qëllim ndërgjegjësimin nga kanceri i gjirit, ishim bashkë për të vizituar gratë të cilat po përballen me këtë sëmundje, për t’i treguar që jemi pranë tyre me qëllim të adresimit të sfidave, por edhe kërkesave që i kanë, dhe sidomos jemi pranë tyre në një periudhë jo të lehtë të jetës së tyre. Me këtë rast sot shpërndamë edhe pako për nevojat që ato i kanë si shenjë solidariteti por edhe mbështetje institucionale. Unë dua që ta shfrytëzoj rastin edhe sot që të theksoj që shëndeti i vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës është shumë i rëndësishëm. Prandaj i bëj thirrje edhe sot çdo gruaje që kontrollin mos ta shtyjë për nesër. Pra që menjëherë të bëjnë kontrollat, mamografia është falas siç e dini, e po ashtu kërkojnë nga familjet e personave që preken nga kanceri i gjirit që t’i mbështesin ata sepse siç e përmenda shëndeti i tyre është shumë i rëndësishëm edhe për shoqërinë tonë por po ashtu edhe për institucionet e Republikës së Kosovës. Janë bërë investime gjatë viteve të fundit për të cilat me siguri do të flas edhe ministri i shëndetësisë por po ashtu edhe drejtori Hutishi. Ne kemi hapur dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës pikërisht në vendin ku edhe adresohen ligjet por edhe ndahet buxheti për institucionet në Republikën e Kosovës. Unë sot dua që të falënderoj klinikën e onkologjisë, gjegjësisht drejtorin dhe gjithë stafin, mjekët, infermierët dhe gjithë të tjerët që po i qëndrojnë pranë pacientëve në momentet e vështira të jetës së tyre. Grave që përballen me këtë sëmundje ju uroj shëndet të plotë dhe jetë të gjatë dhe ju them atyre forca, institucionet dhe shoqëria janë me to në këto momente shumë të vështira. Sigurisht që shumë prej tyre janë sot këtu, ne i takuam ato, do të kemi mundësinë që edhe pas kësaj konference të takohemi me to por është e jashtëzakonshme forca e tyre dhe energjia që ato përçojnë tek ne”, tha ajo.
Kurse, Vitia tha se diagnostikimi në fazat e hershme u jep pacienteve më shumë mundësi për trajtim dhe shërim, ndërsa u bëri thirrje grave që të mos i shtyjnë kontrollet mjekësore.
“Jo rastësisht meritë e të gjitha këtyre grupeve që i përmenda përfshirë edhe juve kemi arritur një sukses që për mua para disa viteve ka qenë i pamendueshëm, domethënë në vitin 2025 sepse akoma nuk i kemi statistikat e 2026-ës deri në fund të këtij viti, në stadin e parë dhe të dytë janë diagnostikuar 53.4% e grave me kancer të gjirit në fazën e parë ose të dytë. Edhe kjo natyrisht ju jep edhe shpresë e përmbi të gjitha ju jep edhe jetë sepse edhe dje e edhe sot këtu që ishim takuam edhe disa gra të cilat kanë përfunduar ciklin dhe tanimë e kanë mposhtur këtë sëmundje dhe kjo na bën që të jemi edhe më të vetëdijshëm, të vazhdojmë me këto fushata, t’ju bëjmë thirrje vazhdimisht grave mos lini në asgjë, kontrollohuni dhe çdo ndryshim qoftë më i vogli që ju mund të dyshoni të konsultoheni me profesionistët shëndetësorë të cilët do të jenë çdo herë aty për t’ju përgjigjur në fazat e para dhe siç e pamë edhe këtu me shumicën e atyre që janë diagnostikuar në fazat e para tashmë janë të shëruara”, tha ai.
Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tha se investimet e viteve të fundit kanë ndikuar në përmirësimin e trajtimit të sëmundjeve malinje në këtë klinikë.
“Klinika e Onkologjisë do të trajton pothuajse të gjithë pacientët të cilët vuajnë me kancer të gjirit pas fazave të ndryshme të diagnostikimit dhe falë investimeve të shumta që janë bërë këto pesë-gjashtë vitet e fundit Klinika e Onkologjisë sot është në një standard tjetër, në nivel shumë më të lartë se çka ka qenë si në kuptim të trajtimit me ilaçe e me barna ashtu edhe në kuptimin e trajtimit me rrezatim. Pra është konkurrente me vendet e rajonit dhe nëse marrim parasysh që onkologjia daton nga viti 2010 kur për herë të parë është hapur si klinikë, ne kemi bërë hapa gjigantë sidomos këto gjashtë vitet e fundit në trajtimin e sëmundjeve malinje të gjirit po jo vetëm edhe të sëmundjeve të tjera. Dhe neve na vë në një pozicion krejt ndryshe në krahasim me vendet e tjera, meqenëse onkologjia është shumë sfiduese dhe kërkon një qasje multidisiplinare dhe investime të shumta dhe ka risi të vazhdueshme në trajtimin e sëmundjeve malinje. Kosova me hapa të sigurt gradualisht është duke shkuar në kuptim pozitiv dhe trajtim adekuat dhe korrekt të sëmundjeve malinje. Vetë fakti që mbi 95-98% e të gjitha rasteve me sëmundje malinje të adultëve trajtohen në Klinikën e Onkologjisë si i vetmi shërbim publik, ose në anën tjetër 99% e shërbimeve onkologjike janë publike dhe gati 0.5% ose 1% privat tregon se me çfarë përkushtimi është bërë punë e jashtëzakonshme në Klinikën e Onkologjisë dhe me investime të cilat janë bërë nga institucionet shtetërore të Republikës”, tha ai.
Burimi: botasot


