Shkup, 13 maj 2020 (POST) – Kryeministri Oliver Spasovski sot e mbajti mbledhjen e tretë me anëtarët e Këshillit ekonomik, ekspertë, guvernatoren e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të Odave, dhe përfaqësues të sindikatave.
Në mbledhjen, siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, është biseduar për setin e tretë të masave ekonomike që është parashikuar t’i sjellë Qeveria.
Kryeministri Spasovski, siç citohet, theksoi se seti i tretë i masave ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve dhe ekonomisë.
Në takim është biseduar për gjendjen aktuale ekonomike gjatë krizës shëndetësore, për mbështetjen e deritanishme në ekonomi me dy setet e masave paraprake ekonomike, për masat e reja të nevojshme dhe për projeksionet për rishikim të mundshëm të planit ekonomik.
Mendimet e këmbyera, sugjerimet, propozimet rreth masave të reja si ndihmë shtetërore në ekonomi, siç është paralajmëruar do të merren parasysh gjatë finalizimit të setit të ri të masave ekonomike.
Përveç Spasovskit, në mbledhje ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja për Çështje ekonomike Milla Carovska, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane dhe për koordinim të ndihmës ndërkombëtare gjatë krizës ekonomike-shëndetësore Bujar Osmani, ministrja e Financave Nina Angelovska, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Trajan Dimkovski, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini dhe zëvendësministrja e Financave Shiret Elezi. sa/