TIRANË, 20 dhjetor /POST/ Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i pranishëm në koncertin e mbajtur mbrëmjen e sotme në Tiranë, “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, reagoi duke thënë se “Maqedonia do të mbështesë Shqipërinë për të rikuperuar dëmet nga tërmeti tragjik”. Ai e konsideroi solidaritetin e vendeve fqinje një shembull të mirë të asaj që mund të bëjë rajoni kur bëhet bashkë.
“Mbështetje e vazhdueshme për zbutjen e pasojave tragjike nga tërmeti që goditi Durresin dhe qytete të tjera në Shqipëri. Në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje, bashkë me Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vucic, ndoqëm sonte një koncert me arie të operave klasike në Tiranë, me interpretimin e artistëve më të mirë të operas shqiptare”, tha Zaev.
“Ngjarjet tragjike shkaktojnë humbje të pazëvendësueshme. Por këto janë momente kur miqësia dhe lidhjet mes popujve mund të shprehen në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi Zaev.
“Koncerti i bamirësisë për të zbutur pasojat e tërmetit është vetëm fillimi dhe shpallja e një bashkëpunimi të përbashkët për t’u bërë ballë katastrofave natyrore, që do të mbulohen nesër si një shtyllë e re e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
“Bashkëpunimi i sinqertë dhe I përkushtuar i ekipeve të shpëtimit i të gjitha vendeve fqinje menjëherë pas tërmetit tragjik është një sinjal i forte tregues se çfarë mund të bëjë rajoni ynë kur punon së bashku”, tha Zaev pas koncertit të solidaritetit. /j.p/
POST.mk