Shkup, 20 dhjetor 2019 (POST) – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së veriut, Zoran Zaev sonte arriti në Tiranë, Republika e Shqipërisë, në Takimin për avancim të bashkëpunimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor ku me nikoqirin, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq tashmë mbajtën takim joformal.
Siç kumtoi Shërbimi qeveritar për shtyp, kryeministri Zaev, së bashku me liderët e tjerë, sonte do ta ndjekin koncertin “Asnjëherë nuk do të jesh vetëm”, si ngjarje donatore për rikonstruimin e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit të këtij viti, që e goditi qytetin e Durrësit dhe vendbanime të tjera në Shqipëri.
Aktivitetet qendrore fillojnë nesër me sesionin punues të liderëve nga Ballkani Perëndimor në takimin në Tiranë, pas çka do të pasojë edhe sesioni plenar në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e institucioneve politike dhe financiare të BE-së, nga Banka botërore, nga Këshilli për bashkëpunim rajonal (RCC), si dhe përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit.
Për konkludimet e këtij sesioni të nismës për avancim të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, liderët do të informojnë në konferencë prë shtyç e cila do të mbahet si përfundim i takimit.
Si pjesë e programit, pjesëmarrësit e takimit në Tiranë do ta vizitojnë Durrësin si shprehje të mbështetjes për qytetarët të cilët u goditën nga pasojat tragjike të tërmetit.
Kryeministri Zaev, vizitën në Tiranë do ta shfrytëzojë për ta përshëndetur punën e Konferencës “75 vite arsim në gjuhën amtare maqedonase në Shqipëri” ku është ftuar së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Përndryshe, në aeroportin në Tiranë kryeministrin zaev e priti ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë shqiptare, Bledi Çuçi.
Ky është sesioni i tretë nga seria e takimeve pas Novi Sadit dhe Ohrit, në suaza të nismës për avancim të bashkëpunimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor.
Edhe përkundër paralajmërimeve paraprake të mediumeve shqiptare, tani për tani nuk ka konfirmim se në takim do të marrë pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Lidhur me këtë nismë, presidenti shqiptar, Ilir Meta sot tha se është “për nisma rajonale të cilat japin më shumë rezultate se sa debate”.
Anëtarë dhe ithtarë të Lëvizjes kosovare Vetëvendosje në Shqipëri dje mbajtën protestë kundër ardhjes së Vuçiqit, ndërsa pasdite në parkun “Qemal Stafa” para hotelit Rogner ku ndodhi takimi joformal i tre liderëve, mbajti edhe një protestë duke brohoritur “Kosova është zemra e Shqipërisë”. Erdhi deri te konflikti mes policisë dhe protestuesve gjatë tentimit për ta shpërthyer kordonin policor. .
POST.mk