Ka pasur një kënaqësi jo të vogël pardje, ditën e protestës së komunitetit të gazetarëve për pr/ligjet e reja, me pjesëmarrjen dhe sidomos përbërjen e pjesëmarrësve. Pak orë më parë, duket se kjo pritshmëri është gatitur prej frymës që ka drejtuar debati i hidhur i një pedagogu me një deputet, por edhe shkëmbimet e ndryshme të batutave të aktorëve të ndryshëm të medias, që, në fakt, duhet të lexohen mirëfilli si ofendime. Veçse, më e keqja akoma, ishte dhe mbetet fakti se një pjesë jo e vogël e komunitetit, ende sot e kësaj dite, nuk njeh elemente të projektligjeve që i japin Autoritetit të Mediave Audio-Vizuale funksionet e një gjykate, e cila merr në gjykim një media, kryesisht portalet online, në rastet kur gjykon se ka pasur shpifje ndaj individit dhe ka cenuar reputacionin e tij, si edhe kompetencat e reja të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për të trajtuar rastet kur një media apo portal online shpif apo cenon dinjitetin e individit dhe gjobat, e deri përmbylljen e aksesit në territorin e Shqipërisë të faqeve të caktuara online.
Kureshtarët dhe njerëzit periferikë në media, shtuar me kolegë, janë marrë më shumë me personazhe të saj, të shquar për fitime marramendëse, kurse një pjesë me llojin e gazetarëve fyes. Njerëzit e kërrusur nga varfëria, tërmeti dhe parashikimet aspak optimiste kanë vazhduar ditën e tyre me përjashtim të pak individëve që përfaqësonin shoqata, problematikat e të cilave shkonin përtej medias. Ndaj, protesta e gazetarëve në morinë e halleve të secilit nuk ka zënë asnjë vend, pasi edhe për shumë gazetarë ajo ka qenë, si një aktivitet i një grupi që s’u takonte atyre.
Pak metra më tutje, nga tribuna e Kuvendit, kryetari i qeverisë shqiptare, Edi Rama, i bindur në arsyetimin e tij ka përmendur emra, që e justifikojnë vendimin e saj, nga ata sosh të cilët vazhdimisht e kanë kritikuar dhe jo pak herë e kanë tepruar edhe me lajme jo të sakta, por dhe pse këto ligje për median ishte koha e duhur për t’u parë. Veçse nuk ka pasur justifikim për kryetarin e AKEP që u largua dhe lëshoi një deklaratë plot ekuivokë.
Siç ndodh zakonisht me sehirxhinjtë, njësoj në protestë, kanë bërë foto personazhesh të ndryshme, janë marrë me të kaluarën e njërit apo tjetrit dhe kanë shkuar për të vazhduar në kafe, ndërsa media tjetër ajo vizive, që e ndjen veten disi të patrazuar nga pr/ligjet, thjesht është mjaftuar me intervistimin e kolegëve dhe është larguar drejt studiove. Qëllimi i lehtë për t’u kuptuar: të japim lajmin e lajmit të kolegëve.
Ndërkohë, pak orë më parë delegacioni i Bashkimit Europian, kishte sjellë në vëmendje punën e Komisionit Europian, sipas të cilit u ka një thirrje “autoriteteve të marrin parasysh komentet e OSBE dhe rekomandimet e Këshillit të Europës, që të sigurohet përputhshmëria me standardet europiane në fushën e medias”. Dhe, në këto rekomandime përfshihen edhe me sigurimin e shqyrtimit të pavarur gjyqësor të ankesave lidhur me mediat dhe forcimin e transparencës së pronësisë së mediave në Shqipëri. E gjithë kjo flet krejt ndryshe nga ajo që mëton zoti Rama, sipas të cilit dy projektligjet që përbëjnë Paketën Antishpifje do të miratohen sot në Parlament, “pas një pune pothuajse njëvjeçare me OSBE dhe i dakordësuar 100 për qind me ekspertët e Vjenës nën drejtimin e Harlem Desir, përfaqësues i OSBE për lirinë e shtypit, organizatës ku Shqipëria merr presidencën e radhës” (ato u miratuan pak orë më vonë)
Kë duhet të besojmë? Komunitetin tonë? Njerëzit që janë marrë me të duke apeluar!? Kryeministrin? Apo strukturat europiane?!
Ajo që mbeti pa përgjigje është se askush nga komuniteti nuk e di të ardhmen, që varet disi nga këto ligje te aprovuara, por që varet shumë nga pronarët, që e japin rrogën shpesh në kohën jo të duhur, tregu ynë apo çfarëdo tjetër?!
Askush nuk mund të thotë sesi do të jetë media në të ardhmen, por një gjë është e sigurt: se ditë jo të mira po afrohen dhe mbi të gjitha nga fakti se shumë nga gazetarët që duhet të ishin në këtë protestë preferuan ta ndiqnin live përmes televizionit (nëse e kanë përcjellë) sesa të përballeshin me realitetin. Dhe, më shumë akoma, situata duket më e dhimbshme kur e shikon se qeveria Rama e ka shkëputur përfundimisht kontaktin e saj real me komunitetin e gazetarëve shqiptarë. (Javanews)
Burimi: http://www.gsh.al