Shkup, 19 dhjetor (POST) – Në frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit rajonal, anëtarët e Nismës së Evropës Qendrore (CEI), prej të cilëve një pjesë më e madhe janë edhe vende anëtare në BE, janë nxitësit e procesit të integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në Union dhe ky angazhim është lartë në agjendën e BE-së pas Samitit të tetorit të Këshillit Evropian dhe është një inkurajim i madh për ne dhe shpresoj se këto përpjekje do të japin rezultate.
Këtë e theksoi kryeministri, Zoran Zaev në fjalimin e tij në Samitin e CEI, që u mbajt sot në Romë.
“Është i madh numri i atyre të cilët janë të bindur se vendi ynë duhet t’i fillojë negociatat me BE-në, në njohjen e përpjekjeve të bëra dhe rezultateve të arritura në reformat si dhe si konfirmim i zgjedhjes së saktë të bërë me marrëveshjen e Prespës. Ideja e një metodologjie të re për zgjerimin e BE-së justifikohet vetëm nëse procesi bëhet më efektiv, më i besueshëm dhe nëse prodhon më shumë përfitime materiale për vendet kandidate për anëtarësim në BE. Për këtë arsye ne apelojmë për një konsensus të shpejtë midis vendeve anëtare të BE-së mbi parimet dhe elementet e metodologjisë së re, i cili do të hapë rrugë për miratimin e një vendimi për fillimin e negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut”, theksoi kryeministri.
Ai shtoi se prioritet i yni mbetet t’i fillojmë negociatat e pranimit sa më shpejtë të jetë e mundur. Theksoi se sjellja e një vendimi deri në mars do të krijojë një dinamikë më të favorshme në vend.
Kryeministri potencoi se Ballkanit Perëndimor i duhet një perspektivë më e qartë dhe e dukshme për anëtarësimin në BE, për ta konsoliduar përparimin, për të siguruar siguri dhe për të arritur zhvillim të mëtejshëm.
CEI këtë vit e shënon 30 vjetorin e formimit dhe e konfirmoi nevojën për bashkëpunim më të gjerë rajonal i cili është pasuruar me një numër të madh të formateve dhe iniciativave siç janë, Procesi për Bashkëpunim i Vendeve nga Evropa Juglindore, përmes Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Procesi i Berlinit, Iniciativa Adriatike -Joniane dhe shumë të tjera.
“Këtë vit, kur CEI feston 30 vjetorin, Maqedonia e Veriut u bë anëtare e 30-të e NATO-s, një arritje e cila është mundësuar për shkak të angazhimit real për përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mire, investimeve në ndërtimin e partneriteteve të vërteta dhe besim. Shpresojmë se në të ardhmen e afërt BE do të vendos t’i fillojë negociatat e pranimit duke u bazuar në rezultatet e dhëna nga vendi ynë”, tha kryeministri Zaev në fjalimin e tij në Samitin e CEI-t në Romë.
Ai shprehu besim se në periudhën e ardhshme CEI do të vazhdojë të ndërtojë forma të reja dhe më të thella bashkëpunimi midis shteteve anëtare në fusha të ndryshme. ls/.
POST.mk