TIRANË, 18 dhjetor/POST-A. Fortuzi/- Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka zhvilluar një vizitë dy ditore në Greqi, ku ka takuar homologun e tij, Mihalis Karamanlakis, e ku është theksuar rëndësia e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën e përbashkët ndaj krimeve ndërkufitare dhe krimit të organizuar.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, takimi është realizuar me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë greke Mihalis Karamanlakis. Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, u shoqërua nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj, Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit Eduard Merkaj, Drejtori i Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse Theodhori Gravani dhe nga Drejtori i Bashkëpunimit e Koordinimit Ndërkombëtar Andi Likaj.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë bisedës mes 2 drejtuesve policorë u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm në parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare dhe trafiqeve të paligjshme.
“Ju falënderoj për bashkëpunimin serioz të deritanishëm dhe ju ftoj ta thellojmë më tej këtë bashkëpunim, jo vetëm në nivel qendror, por edhe në nivel rajonal, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën e përbashkët ndaj krimeve ndërkufitare dhe krimit të organizuar”, – theksoi Drejtori i Policisë greke.
Gjatë takimit të zhvilluar mes dy delegacioneve, ku nga pala greke ishin të pranishëm edhe Drejtori i Departamentit të Sigurisë George Kastanis, Drejtori i Departamentit të të Huajve dhe Mbrojtjes së Kufijve Dimitrios Mallios, Shefi i Kabinetit Kristos Manouras, si dhe Drejtori i Drejtorisë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor Ioannis Stavrakakis u dakordësua mbi nevojën e thellimit të bashkëpunimit, në nivelin qendror dhe rajonal, për të koordinuar veprimet dhe shkëmbimin e informacionit, me qëllim rritjen e efikasitetit në parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare dhe krimit të organizuar.
Drejtuesit e dy policive ranë dakord për krijimin e një Udhërrëfyesi në nivel strategjik dhe operacional, me një grafik specifik për të kontrolluar nga afër detyrat e lëna në të.
Gjatë vizitës dyditore, delegacioni i Policisë së Shtetit zhvilloi shumë takime me drejtuesit e Departamenteve Policore, me qëllim zgjerimin e kontakteve dhe thellimin e bashkëpunimit.
POST.mk