TIRANË, 18 dhjetor /POST/- Deputetja e Partisë Socialiste Milva Ekonomi u shpreh se paketa antishpifje që u miratua sot në Kuvend, mbron qytetarin dhe kryesisht atë publik që ka qenë në shënjestër të portaleve.
Sipas saj, ky ligj do shërbejë si kornizë për vetërregullim. Ndërsa gjobat, tha se do jenë proporcionale.
“Gazetaria ka një kod etike. Organet janë këshilli i ankesave dhe bordi i AMA-s. Këshilli i ankesave ka njerëz të rinj nga fusha juridike, që bëjnë një vlerësim të saktë mes fjalës së lirë dhe privatësisë. Kjo ka qenë një ndër debatet me ndërkombëtaret ruajtja e balancës mes fjalës së lirë dhe privatësisë. Ky debat me ndërkombëtarët është i zgjidhur. Ky ligj ndaj mori kaq shumë kohë nga hartimi deri në votim”, tha Ekonomi.
“Ne duhet të kuptojmë qëllimin e mirë që ka ky ligj për palët. Nga njëra anë për lirinë e shprehjes dhe nga ana tjetër lirinë e individit”, u shpreh Ekonomi.
Ekonomi shpjegoi se ky ligj mbron edhe gazetarin. “Ligji krijon disa procedura që garantojnë te drejtat e qytetarëve. Për çdo ankesë do të ketë shqyrtim rigoroz dhe konkluzione të sakta nga stafi kompetent”- tha ajo. e.xh/j.p/