TIRANË, 18 dhjetor /POST/ -Këshilli i Lartë Gjyqësor, miratoi sot vendimin për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjithashtu KLGJ mori edhe disa vendimeve të tjera individuale për sistemimin në pozicion të gjyqtarëve të Gjykatave për Krimet e Rënda, të cilat nga dita e nesërme pushojnë së funksionuari si të tilla.
Sipas vendimmarrjes së Këshillit, më datë 19 dhjetor fillon funksionimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPSHPKKO) dhe i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPAKKO).
Në vijim, Këshilli vendosi caktimin në pozicion të gjashtë gjyqtarëve në detyrë të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kështu u vendos caktimi i përhershëm i gjyqtarëve Albana Boksi; Nertina Kosova; Saida Dollani; Dhimitër Lara; Sokol Binaj; Nure Dreni, për të cilën vijon procesi i rivlerësimit kalimtar.
Gjithashtu, Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të dymbëdhjetë gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për të cilët vijon procesi i rivlerësimit kalimtar apo nuk ka ende një vendim përfundimtar për konfirmimin në detyrë.
Gjyqtarët janë Daniela Shirka; Etleva Dede; Flora Haredinaj; Ilirjana Olldashi; Irena Gjokaj; Marsela Balili; Miliana Muçaj; Ardit Mustafaj; Bib Ndreca; Fran Prendi; Klodian Kurushi; Sandër Simoni.
Më tej, Këshilli, në kushtet e pushimit së funksionuari të Gjykatave për Krimet e Rënda, vendosi transferimin e gjashtë gjyqtarëve, konkretisht Fehmi Petku, Gjovalin Përnoca, Gurali Brahimllari, Idriz Mulkurti, Dhurata Haveri (të gjykatës së apelit) dhe Luan Hasneziri (i gjykatës së shkallës së parë), pranë disa gjykatave të apelit apo të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, duke filluar nga data 19 dhjetor 2019 dhe deri në përfundimin për ata të procesit të rivlerësimit kalimtar përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku në rast të konfirmimit në detyrë nga ky i fundit, gjyqtarë të transferuar gëzojnë të drejtën e zgjedhjes për t’u transferuar në çdo pozicion që do të jetë i lirë në atë moment apo që pritet të bëhet i lirë brenda gjashtë muajve, respektivisht në gjykatat e apelit apo të shkallës së parë me juridiksionin të përgjithshëm.
Në përfundim po për shkak të pushimit të funksionimit të Gjykatave për Krimet e Rënda, Këshilli vendosi edhe transferimin e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Dritan Hallunaj, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, detyrë ushtrimin e të cilës e fillon pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë të Tiranës. Gjatë kësaj periudhe, duke qenë se vijon të ruajë statusin e magjistratit, ky gjyqtar duhet të jetë i caktuar në një pozicion në sistemin gjyqësor.
KLGJ thekson se Vendimet e sotme janë një hap i rëndësishëm në vijueshmërinë e reformës në drejtësi, drejt realizimit të pritshmërive që publiku ka ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor e ndaj sistemit gjyqësor në tërësi.
Me vendimmarrjet e sotme, Këshilli plotëson arkitekturën institucionale dhe mekanizmin kushtetues që e bën luftën e përbashkët kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe në nivelet më të larta të shtetit, një përpjekje reale dhe të mundshme.
/gj.mima/j.p/
POST.mk