E para gjë që të rrëqethte ishte gjuha. E dyta pas saj
ligjërata.
«Monologu» i Adi Krastës ishte apologjia më e bukur që i është bërë ndonjëherë lirisë së medieve, pavarësisë së tyre nga pushtetet. Një start që tronditi në shumë dimensione.
Xhemal AHMETI
Ka kohë që fryma e gjumosur e njeriut të «zakonshëm» shqiptar nuk është ndeshur me një levitianë
të tillë ai ajo e Adi Krastës në T7. Ai përdori një retorikë që si implikat pas
çdo pike në fund të fjalisë kishte: t’i s’je vetëm një votë e blerë, e
stërshitur, e kontrabanduar; t’i s’duhet
të përdoresh si një oportunist nga klanet e pushtetopatëve, që besojnë se të
kanë narkotizuar përjetësisht me narrativet e tyre populiste, me citatet e tyre
wikimanjanke e asnjëherë të sakta; me qortimet e tyre poshtëruese e
liripërdhunuese. Krasta kërkonte shkundjen e shqiptarit pas tri dekadave
regres, tërmet. Ai kërkonte nga qytetari të ngjitet aty ku e ka vendin: në
fronin e lirisë së tij dhe nëse jo me tjetër, atëherë me zërin e tij të rëndë
të argumentit të çajë trutë dhe veshët pushteteve, politikave, ideologjive që
kaq gjatë degjenerojnë dinjitetin e tij. Jo se i zakonshëm, porse i urtë dhe
viktimë e vetes.
Ky ishte njëri dimension: apeli për ripërtëritje të marrje-përgjegjësisë
qytetare kundër atyre që ngushtojnë qiellin e etnohartës shqiptare. Gjithandej.
Për çdo ditë.
Dimensioni tjetër ishte shpallja luftë instrumenteve mediatike
pushtetofile, të cilave o iu nënshtrove o të hedhin në rrugë. Si Krastën që e
hodhën nga Tirana para syve, vëmendjes dhe empatisë pan-shqiptare. Kjo është
rruga e tij e re. Jo se e deshi, porse u deshtë t’i ndodhë që masa e të
zakonshmeve, për ca minuta, ta ndiej fuqinë e saj që moti zihet, struket,
përdhunohet dhe hesht. Diskriminimi ndaj tij ishte ndoshta e vetmja mënyrë që i
zakonshmi të kuptoj in vivo, me besim të plotë se sa me vlerë, sa zëpastër dhe
sa e domosdoshme është masmedia e pakorruptuar, e lirë, ajo e faktit dhe e
lirisë së njerëzve e jo e asaj të pushteteve. Krasta u dha zë, i legjitimoi jo
vetëm gazetarët, mediat (aq të rralla për nga objektiviteti e shumë më të
rralla për nga kualiteti) por më shumë ai certifikoi çdo zë online si luftues
legjitim për lirinë e të gjithëve. Kjo ishte arsyeja pse zëri i Krastës
preku aq shumë shumë frymë, pavarësisht
domicilit, ideologjisë, besimit apo shtetit të tyre. Ai fliste shqip dhe më
zërin e një gazetari të pakorruptueshëm, në dritaren e një medie që tashmë
është shtrirë në çdo cep të kulturosferës shqipofone, një media me potencialin
tashmë të padiskutueshëm për të nisur, ndaluar apo përshpejtuar procese jetike
të shoqërive dhe lirive shqiptare.
Ky është dimensioni i tretë: shfaqja e Krastës në T7 nuk ishte aspak e
rastësishme: ishte kritiku në fronin e nevojshëm.
Akterët e politikave shqiptare duhet të jenë të kujdesshëm se si sillen me
mediat, sidomos me ato që janë përçuese afalsifikuese të gjendjeve reale
shqiptare – qytetare. Dhe kur këto shprehen me fuqinë e shqipes si ajo e
Krastës së pakorruptuar, nëpërmjet dritares së një medie që është më e fuqishme
se shtatë opozita, atëherë, pushtetarët më mirë të njerëzohen se të ikin nesër
si arrogantë të urryer – pasiqë se do ikin, kjo s’ka më dilemë.