TIRANË, 14 dhjetor /POST/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Spitallë, Durrës, aty ku do të lindë një lagje e re e të ardhmes, e ku Universiteti s’do jetë më një “çadër” e ngulur në shkretëtirë, po një pol arsimor i një zone urbane që do të strehojë familjet e prekura, do të ketë infrastrukturë moderne, shkollë, kopshte, çerdhe, qendër shëndetësore, mjedise sportive dhe do të kufizohet me Parkun e Madh, i cili do të ngrihet mbi fushën e derisotme të plehrave.
Kryeministri Rama, së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti inspektoi zonën që sipas saj, rezultoi më e përshtPOSTmja për zhvillimin e integruar multidimensional, nga të të gjitha propozimet e tjera për ngritjen e një lagjeje të pas tërmetit të 26 nëntorit.
Margariti tha se, “kjo zonë ka dy mundësi zhvillimi: e para, zona e Vaskave, ku është parashikuar ndërtimi edhe i një tregu për qytetin dhe pjesa tjetër e kësaj hapësire për zhvillimin e blloqeve të banimit, me shkolla dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme që kërkon një rezidencë me standarde bashkëkohore”.
“Ne kemi menduar, – tha ajo, – që i gjithë studimi për zhvillimin e kësaj zone, duke filluar që nga pjesa fundore e qytetit të Durrësit, e deri tek Eco Parku i Madh, të përfshijë një projekt të mirëfilltë urbanistik, i cili tashmë ka nisur”.
Kryeministri Rama, u interesua për të marrë detaje më të hollësishme për zhvillimin e Zonës Ekonomike e përcaktuar në projekt si zonën për zhvillimin e integruar të parkut energjetiko-industrial në Porto Romano dhe kërkoi që të bëhet një studim i plotë në dimensionet e një masterplani për të gjithë zonën, me qëllim siç u shpreh Rama “që të kemi një gravitet urban të integruar me zhvillimin e zonës ekonomike”.
Projekti do të krijojë lidhje të integruar me universitetin, rezidencën e re të banimit dhe zonën ekonomike. Pra, do të ketë një linjë e gjatë me disa pole zhvillimi.
Gjatë këtij inspektimi, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve të linjës, Kryeministri kërkoi që të ecet shpejt me procesin e shtëpive me qira për të prekurit nga tërmeti. “Deri tani janë 4100 familje të siguruara me bonusin e qirasë, ndërsa procesi po vijon me intensitet të aplikimeve dhe verifikimit”, shpjegoi përfaqësuesi i pushtetit vendor.
Kryeministri theksoi rëndësinë e nevojës për shpejtësi të këtij procesi dhe tërhoqi vëmendjen për verifikim korrekt dhe pasjen kujdes ndaj abuzuesve.
Kryeministri u interesua gjithashtu edhe për ecurinë e procesit të meremetimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.
Ai tha se “standardi i muraturës në projektet e miratuara është shumë i rëndësishëm të respektohet. Problemi është që ata nëse te strukturat e kanë respektuar këtë standard tek muratura kanë lëvizur. Ndaj do të vendosim edhe supervizorë për muraturat me standarde, me qëllim që të sistemojmë banorët nëpër shtëpitë e tyre”. /e.xh/j.p/
POST.mk