Një
ditë pas ndeshjes Kosovë – Mali i Zi, Prokuroria e shtetit ka filluar ta hetojë
procesin e shitjes së biletave për shikues.
Lajmin
e ka konfirmuar vetë Prokuroria e shtetit ekskluzivisht për Gazetën Express.
Siç
dihet, prej se Kosova ka nisur të zhvillojë ndeshje miqësore, e edhe më shumë
pas pranimit në UEFA e FIFA në çdo ndeshje të zhvilluar ka pasur telashe dhe
ankesa me shitjen e biletave.
Ato
gjithnjë kanë dalë edhe në treg të zi me çmime shumëfish më të shtrenjta sesa
ato zyrtare.
Kohëve
të fundit, Federata e Futbollit të Kosovës e ka praktikuar formën e shitjes së
biletave përmes një sistemi online, por megjithatë problemet nuk janë zgjedhur.
Ankesat
vazhdimisht kanë qenë prezentë, ndërsa së fundmi ka nisur të ketë dyshime edhe me
këtë sistem.
Duke
i marrë parasysh ankesat e vazhdueshme dhe të mëdha të qytetarëve, Prokuroria e
shtetit i ka thënë Gazetës Express se ka filluar seriozisht të merret me këtë çështje.
“Ju
njoftojmë se Prokuroria e Shtetit, bazuar në lajmet e publikuara në media ka
filluar grumbullimin e informatave, në mënyrë që të verifikohen dyshimet e
ngritura për shitjen e biletave për ndeshjet e zhvilluara nga kombëtarja e
Kosovës”, njofton kjo Prokurori.
Kjo ndodh një muaj para ndeshjes me Anglinë, ku do të jetë jashtëzakonisht e vështirë që tifozët të pajisen me bileta. /Gazeta Express/