Mbrojtësi i Napolit, Kalidou Koulibaly, ka folur në një intervistë të dhënë për revistën L’Equipe për eksperiencat e tij lidhur me racizmin në futboll, duke thënë se ata janë banditë dhe nuk do të guxonin t’i bënin ato zhurma para fytyrës time.
Qendërmbrojtësi i Senegalit ka lindur në Francë,
mirëpo prindërit e tij janë me prejardhje nga Senegali. Ai e përshkruan jetën e
tij duke thënë se ka notuar në diversitet që nga lindja, transmeton Gazeta
Express.
“Mund të ketë pasur disa komente me tone
raciste në Metz dhe Genk, mirëpo nuk e kisha pasur asnjë incident racizmi të pastër
atje. Kam dëgjuar shumë stereotipe se Italia është raciste dhe se njerëzve nuk
u pëlqen Serie A për shkak të kësaj”, ka thënë Koulibaly.
“Megjithatë, familja ime është shumë e lumtur
në Napoli, por edhe shokët e mi të cilët vijnë të më vizitojnë. Personat që
shesin këtu nëpër rrugë dhe që janë nga Senegali quhen Koulibaly, por ata janë të
lumtur për këtë gjë. Nuk është problem”.
“Përvoja ime e parë me racizëm të pastër ishte
në ndeshjen kundër Lazios në sezonin tim të dytë këtu. Gjatë asaj ndeshjeje
(shkurt 2016), mendoj se e humba kontrollin. Thirrjet si majmunë kishin qenë aq
të zhurmshme saqë e humba kontrollin. E vërteta është se ndihesha i turpëruar,
sikur të mos e meritoja të isha aty”.
“Stafi ishte i shqetësuar, trajneri Maurizio
Sarri ofroi ta ndalë ndeshjen dhe të dalim nga fusha nëse ato thirrje nuk
ndaleshin. Unë më nuk po mendoja për futbollin dhe kjo me të vërtetë më lëndoi”.
“Kur e mendoj tash, duhet ta kisha ndierë të
kundërtën: racistët duhej të ishin ndierë të turpëruar. Ata janë banditë dhe
nuk do të kishin guxuar t’i bënin ato thirrje para fytyrës time. Ata mund të
fshihen në turma dhe tentojnë të jenë anonimë”.
“Ne duhet ta gjejmë një zgjidhje për këtë.
Vendet e tjera janë shumë më përpara në luftën kundër racizmit, për shembull në
Angli ata marrin pezullim të përjetshëm. Edhe në Itali na duhen dënime më të
ashpra”. /Gazeta Express/