Trajneri Bylbyl Sokoli beson se Kosova ka ekip më cilësor sesa Mali i Zi, ndërsa Arbnor Morina paralajmëron se në “Fadil Vokrri” do ta shohim një Mal të Zi më të mirë pasi që në ndeshjen në Podgoricë ata kishin probleme jashtë futbollit.
Të ftuar në emisionin e sportit në T7, “Favorit”, sonte
ishin dy trajnerët e njohur, Bylbyl Sokoli dhe Arbnor Morina, për të diskutuar
për ndeshjet e tetorit të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për ndalimin e Crvena
Zvezdës, shkruan Gazeta Express.
Të hënën, Kosova do ta vazhdojë rrugëtimin në kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 me ndeshjen kundër Malit të Zi, që do të zhvillohet në orën 20:45 në “Fadil Vokrri”.
Ndeshja e parë mes këtyre dy Kombëtareve në kuadër të Grupit
A përfundoi me rezultat 1:1, mirëpo Malit të Zi i kishte munguan lojtari më i
mirë i tyre në atë ndeshje, Stefan Savic, ndërsa trajneri dhe dy lojtarë
s’kishin pranuar të marrin pjesë shkaku i prejardhjes serbe të tyre.
Këto rrethana kanë bërë që Morina të besojë se mund ta
presim një Mal të Zi më të mirë sesa në atë ndeshje në “Fadil Vokrri” të hënën.
“Ndeshja me Malin e Zi në Podgoricë ishte e tensionuar, më
shumë për malaziasit por edhe për ne. S’duhet të jemi 100 për qind e bindur se
do të arrijë të fitojë të hënën, mirëpo në tentim për fitore ndikon edhe
patriotizmi”, tha Morina në “Favorit”.
Në anën tjetër, Sokoli beson se Kosova e ka epërsinë në këtë
ndeshje për shkak se e ka ekipin më cilësor dhe beson se kjo ndeshje do të jetë
vendimtare për fatin e Kosovës në kualifikimet për EURO 2020.
“Kosova ka ekip më cilësor sesa Mali i Zi dhe të hënën duhet
të luajë me ritëm më të shpejtë, ta qarkullojë topin më shpejt. Kjo ndeshje
mund të cilësohet vendimtare për mundësitë e Kosovës për t’u kualifikuar në
EURO 2020”, shtoi Sokoli.
Kosova aktualisht radhitet në pozitën e tretë në Grupin A,
me tetë pikë të fituara nga pesë ndeshjet e para. Kreun e mban Anglia me një
ndeshje më pak të zhvilluara dhe 12 pikë, ndërsa e dyta është Çekia me nëntë
pikë. /Gazeta Express/