Tre vite më parë, aktori i njohur shqiptar, Çun Lajçi, humbi vajzën e tij të vetme, Bubulinën.Humbja e saj e pikëlloi pafund aktorin, i cili nuk ka reshtur së shkruari për të, duke e ndarë me ndjekësit e tij në rrjete sociale dhimbjen e mungesës së të bijës
Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka ndarë
një shkrim ku i drejtohet së bijës me fjalët që na e pikëlluan zemrën.“Po
Miraloshe, e pashë nji premierë mbas tri vitesh zie
Që kur vdiqe ti Mirake, vdiqën edhe kënaqësitë
e premierave t’filmave t’mi.
U paluen dy e tani po palohet edhe viti i
tretë që zvarritem rrugëve me dhimbje eshtnash, pa ma bajtë zemra me shkua me i
pa rolet e mia n’filmat që i xhirova n’ato dy vitet kur ti po baheshe gati për
udhëtimin e fundit.
Por s’mujta me ia prishë ngazëllimin e gëzimin
nji regjisori t’ri, malësor i Malësisë Madhe, njisoj si unë i këtej bjeshkëve
t’Nemuna, Eduart Grishës, që ishte rritë me portretin tim e fjalën e Fishtës
dalë nga goja ime.
S’baj film pa malësorin Çun, kishte thanë dhe
m’kërkoi me shumë kulturë mos me ia refuzua thirrjen. Shkova bashkë me Galën,
por jo si dikur me ty Mirake!
Dhe bamë fotografi përpara nji panoje t’madhe
ku shkruente “Gjyshja” ku ishin edhe tre emna aktorësh dhe i regjisorit Eduart.
E urova Emën e Ritën, koleget e mia që
shkëlqenin n’filmin e parë t’Grishës.
Urova regjisorin e ma uroi edhe ai mua
Sokolin.
Mbas premierës së filmit ishim edhe ma t’lumtun,
se puna fliste vetë. Kishte ba diçka t’thjeshtë, diçka t’bukur, diçka që
s’kërkonte shpjegime e analiza. Nji thjeshtësi arti që kishe dëshirë me pa!
Ishte kthye bukur n’kohën e errët enveriste e
bukur i kishte portretizua malësorët e Bogëve ( jo t’Rugovës jo, por t’Malësisë
Madhe)
Ishte mrekulli të takoje njerëz që pa s’i
kisha me vite. Aktorë filmi e teatri e regjisorë që rrallë flasin me gjuhën e
filmit!
Ishin gati të gjithë yjet e kangës e t’ekranit
shqiptar.
Por… e kisha pas harrua nji mik t’ri, nji
kolegun tim me t’cilin isha mishnua shumë te “Koha e Kometës”, atë çunin e ri
Bes Kallakun, që lamë gjurmë t’bardha n’filmin e Koçit.
U përqafuam, u përqeshëm, u shamë, u ngucëm
njisoj si para 10 vitesh teksa po xhironim bjeshkëve t’Mavrovës.
Kjo asht grueja ime, m’tha, për Xhensilën,
bukuroshen, yllin e ri t’kangës. Kjo asht fansja jote ma e madhja n’shqiptari,
m’tha. Kuptohet, falë meje që e kam torturua çdo ditë tue folë për ty, dhe
qeshëm!
Nji darkë që s’harrohet ishte ajo natë në
restorantin e Bes Kallakut me Galën time e Xhensilën e tij.
Të nesërmen erdhi Edi Grishaj me m’pa a kisha
djeh mirë n’hotelin Hilton, dhe shkuem n’studio t’Top-Channelit t’flasim për
premierën e filmin “Gjyshja”.
Kur e pyeti POSTrja, pse Çuni n’filmin tand
(që lente me kuptua se Tirana ka plot aktorë, Çuna), Edi u përgjigj: Sepse s’ka
ma t’besueshëm e ma fisnik për ekranin se Çuni dhe deri sa t’jem gjallë ai do
t’jetë n’filmat e mi!
Unë qesha e thashë: Ishalla s’jetoj gjatë pra,
se paske me sharrua me filma!
Po Miraloshe, e pashë nji premierë mbas tri
vitesh zie!”- ka shkruar aktori.