Federata e Futbollit
e Kosovës ka arritur marrëveshje me Federatën e Futbollit të Kroacisë për ta
zhvilluar një ndeshje miqësore, dikur në të ardhmen, mes dy ekipeve kombëtare.
Detajet e një ndeshjeje të tillë nuk janë bërë ende të ditura, por në deklaratën e lëshuar nga Federata e Futbollit e Kosovës është bërë e ditur se detajet do të zbulohen në të ardhmen e afërt, raporton Gazeta Express.
Kosova dhe Kroacia ishin përballur edhe më parë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës Rusia 2018. Më 10 qershor të vitit 2016, Kroacia i mposhti “Dardanët” me rezultat 6:0 e pastaj 1:0 më 9 mars 2017.
Deklarata e plotë e
FFK-së:
Gjatë qëndrimit të djeshëm në Kosovë, presidenti i Federatës së Futbollit të Kroacisë, Davor Shuker, gjatë tërë kohës është shoqëruar nga ish-futbollisti ynë i mirënjohur, tani ndihmëstrajner i Kombëtares A, Muharrem Sahiti.
Përveç se evokuan kujtimet e ligës dhe futbollit të
atëhershëm, kur ata ishin yje në klubet e tyre, ata, biseduan edhe për punën
dhe rezultatet e të dyja kombëtareve në vitet e fundit, teksa u dakorduan edhe
për zhvillimin e një ndeshjeje miqësore ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë në një kohë
të përshtatshme për të dyja kombëtaret, për datën e të cilës do të vendosin në
të ardhmen e afërt të dy presidentët e federatave.