TIRANË, 30 shtator /POST/ Disa nga punët me përfaqësuese të krijimtarisë në pikturë e pirografi, që mbajnë firmën Jani Marku, piktorit dhe mësuesit emblematik të vizatimit në Sarandë, përmes një gjesti dhurimi, i janë shtuar sot fondit të Galërise “Art Saranda”.
Në vlerësim të këtij akti, Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma ka rezervuar pritje në zyrën e tij për bashkëshorten e piktorit, Liri Marku, të ardhur enkas nga Athina, ku kanë emigruar, në pamundësi shëndetësore për të ardhur vete autori.
Gurma i tha zonjës Marku se është shumë i nderuar të shohë e të prekë pikturën e një mjeshtri si Jani Marku, të dhuruara me shumë dashuri dhe bujari për Galerinë e Sarandës. Ai ka çmuar Jani Markun si piktorin e parë me Liceun Artistik, që i erdhi Sarandës 66 vite me parë, një piktor punëtor, i përgatitur nga mjeshtra të mëdhenj si Buza, Zajmi e Madhi, piktorit dhe mësuesit të vizatimit që rriti dhe përgatiti brezat e talenteve të reja, të qëmtuara në të gjitha shkollat e Sarandës dhe të periferisë.
Gurma i dorëzoi Certifikatën e Mirënjohjes për Jani Markun, me motivacionin: “ Në shenjë nderimi e vlerësimi për kontributet e dhëna prej mbi 65 vjet me parë në fushën e pikturës, vizatimit e pirografisë dhe përgatitjen e talenteve të reja në artin figurativ. Çmoj aktin e dhurimit të pikturave tuaja, që janë një pasurim i çmuar i fondit të Galerise “Art Saranda”, si një shprehje e asaj që ju jetoni me Sarandën, edhe kur jeni larg saj.”.
Akt Marrëveshja e dhurimit të pikturave u nënshkrua nga zonja Marku, bashkëshorte e piktorit dhe nga marrësi në forezim Lefter Ceko, përgjegjës i Galerise “Art Saranda” dhe rrjetit të Muzeve të Bashkisë Sarandë.
Burimi: http://ata.gov.al/