Shkup, 30 shtator 2019 POST – Funksionimi i Këshillit gjyqësor-mediatik po i jep frytet e veta. Një vit që kur ekziston ky Këshill, është regjistruar transparencë më e madhe nga gjykatat, brifingje më të shpeshta me gazetarët dhe kumtesa në kohë për ngjarjet me rëndësi.
Përmirësimi i raporteve mes organeve gjyqësore dhe mediave siç u tha në konfernëcën e fundit të projektit “Përforcimi i kapaciteteve dhe funksionaliteti i Këshillit gjyqësor-POST”, i organizuar nga Shoqata e gjykatësve dhe Ambasada e SHBA-së, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Oficerja për çështje politike pranë Ambasadës së SHBA-së në Shkup, Dajana Palekin, paralajmëroi se ata përmes Byrosë së Stejt Departmentit i kanë ndarë grant të ri Shoqatës së gjykatësve për vazhdimin e mbështetjes së Këshillit gjyqësor-mediatik. Duke e elaboruar ndarjen e grantit të ri, ajo theksoi se Byroja në fjalë e ka vlerësuar punën e suksesshme të Këshilli gjyqësor-mediatik, andaj edhe vazhdon ta mbështes.
“Emetimi i drejtpërdrejtë i shpalljes së aktgjykimeve, prezenca e opinionit profesional në seancat gjyqësore të mbyllura për opinionin, si dhe punëtoritë për edukim të standardeve për raportim të ngjarjeve gjyqësor, me qëllim mënjanimin e dezinformatave dhe lajmeve sensacionale, janë arriturat e një viti punë”, tha Palekin.
Kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Xhemali Saiti, duke folur në këtë konferencë, tha se pas shumë ngjarjeve dhe analizave kanë konstatuar se transparenca është korektor për bartësit e pushtetit, përfshi edhe pushtetin gjyqësor.
“Konstatuam se transparenca është nevojë e gjykatësve dhe detyrë kundrejt qytetarëve. Për këto arsye vlerësuam se shfrytëzues të zhvillimit të transperencës janë gjykatësit dhe qytetarët, ndërkohë transmetues janë gazetarët. Ne arritëm të bëjmë një mjedis koheziv, i cili funksionoi dhe i dha rezultat e duhura”, tha Saiti.
Mes tjerash ai nënvizoi se funksionimi i Këshillit gjyqësor-mediatik është përshëndetur edhe nga Stejt Departmenti dhe i theksuar në raportin e fundit për progresin e Maqedonisë së Veriut. oxh/