Edicioni i ri i
Superligës së Kosovës në basketboll do të sjellë derbi qysh në xhiron e parë. Këtë
sezon, në mesin e nëntë skuadrave që garojnë për t’u shpallur kampione të Kosovës
është edhe Peja, rikthimi i së cilës e bën më interesante garën.
Sezoni i ri i Superligës do të nisë sonte me ndeshjen ndërmjet
Bashkimit dhe Lipjanit, që zhvillohet në Gjakovë nga ora 19:00. Kjo përballje
zhvillohet në Gjakovë për shkak se palestra në Prizren është e zënë, derisa të
shtunën do të përballen Ylli me Feronikelin, transmeton Gazeta Express.
Të dielën nga ora 17:00 takohen Ponte Prizreni me Pejën, që
është rikthyer në Superligë këtë sezon dhe pritet ta bëjë edhe më interesante
garën.
Java e parë mbyllet me super derbin ndërmjet Rahovecit dhe
Sigal Prishtinës. Ky takim zhvillohet të dielën nga ora 19:00 në “Mizahir
Isma”. Këto dy skuadra u takuan edhe në Superkupë, derisa edicionin e kaluar
ishin ndeshur edhe në finale të “Play-off”-it dhe Kupës, ku triumfuan
prishtinasit.
Në anën tjetër, Trepça do të pushojë në xhiron e parë.
Në këtë edicion do të zhvillohen 36 xhiro gjithsej, derisa
dy skuadrat e fundit bien nga elita, kurse skuadra e shtatë e renditjes në
Superligë do të takohet me finalistin e Ligës së Parë, për një vend në elitë
për edicionin e ardhshëm.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, e ka sqaruar detajet sezonit të ri të Superligës së Kosovës në një letër të publikuar në faqen zyrtare të FBK-së, të cilën mund ta lexoni në vijim:
Sot fillon edicioni i
ri, 2019-2020 në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas organizimit të
suksesshëm të Superkupës, presim që edicioni i ri të vazhdojë në mënyrën më të
mirë të mundshme, me shumë tifozë në tribuna dhe shumë lojëra të bukura në
parket.
Këtë edicion është
rikthyer Peja, që i ka munguar shumë basketbollit të Kosovës dhe besoj se,
Superliga do të jetë atraktive dhe me shumë përballje interesante.
Gjashtë skuadra do të
luajnë në “Play-off”, vendi i shtatë në “Play-Out” dhe dy vendet e fundit do të
largohen nga elita. Kjo pritet të bëjë shumë interesante edicionin e ri, ku do
të garohet deri në fund për çdo pozitë. Rikthimi i Pejës, por edhe përforcimi i
skuadrave me lojtarë vendorë dhe të huaj, bënë që edicioni i ri të jetë shumë
atraktiv, kurse adhuruesit e basketbollit çdo ndeshje mund ta përcjellin edhe
në platformën Art Motion, si dhe me statistika ‘live’ në faqen zyrtare të
Federatës së Basketbollit të Kosovës, kurse adhuruesit e basketbollit do të
informohen për çdo risi në faqen zyrtare, si dhe në rrjetet sociale të FBK-së.
Gjithashtu për herë të
parë do të jetë edhe Liga e Parë e Femrave, në mënyrë që garat të jenë më
interesante dhe të masivizohet më shumë basketbolli në konkurrencën e femrave.
Federata e
Basketbollit e Kosovës (FBK) i kushton shumë rëndësi edhe gjeneratave të reja,
ku do të vazhdon përkrahja për ligat nga U12 deri në U18, në të dyja
konkurrencat.
FBK-ja ka bërë të
gjitha përgatitjet e mundshme për edicionin e ri në të gjitha ligat dhe urojmë
që të jetë edicion i suksesshëm për basketbollin e Kosovës.
Ashtu siç kemi qenë
gjithmonë afër klubeve, ashtu do të jemi edhe në edicionin e ri dhe përkrahja
maksimale nuk do të ndalet asnjëherë.
Për ne, shumë të
rëndësishme janë edhe garat ndërkombëtare, andaj u urojmë sukses të gjitha
klubeve pjesëmarrëse dhe shpresojmë se do të kenë rezultate sa më pozitive në
arenën evropiane. Përveç klubeve në konkurrencën e meshkujve, kësaj radhe edhe
Prishtina te femrat do t’i rikthejë emocionet e garave evropiane me
pjesëmarrjen e saj në grupet e FIBA Europe Cup Ëomen.
Djemve dhe vashave u
urojmë shumë suksese.
Suksese të gjitha
klubeve në edicionin e ri.
Arben Fetahu
Kryetar i Federatës së
Basketbollit të Kosovës