Atletja e mirënjohur Luiza Gega do të përfaqësojë Shqipërinë në Botërorin e Atletikës për Të Rritur që do të mbahet në kryeqytetin e Katarit Doha. Gega do të konkurrojë në garën e 3,000 m me pengesa. Prova e saj e parë do të jenë bateritë kualifikuese, që mbahen më 27 shtator, pra në ditën e hapjes së këtij Botërori.
Garat do të zhvillohen në mbrëmje dhe në bateritë eliminatore do të marrin pjesë plot 43 atletë. Pritet një nivel i lartë konkurrence, pasi kualifikohen vetëm 3 atletet e para të çdo baterie, si dhe 6 më të shpejtët e të gjitha baterive.
Finalja e kësaj gare do të zhvillohet 3 ditë më pas, në mbrëmjen e 30 shtatorit.
Koha më e mirë aktuale e Luiza Gegës, është 9 minuta, 25 sekonda e 80 të qindtat. Për momentin ajo regjistrohet si ndër 10 kohët më të shpejta të 43 garueseve në 3,000 metra me pengesa. Ndërsa rekordi kombëtar, që mbahet po prej saj, është 9 minuta e 22 sekonda. Atletja dhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi, ndodhen prej pak ditësh në kryeqytetin e Katarit. Gara në stadium nuk pritet të paraqesë probleme sa u përket temperaturave të larta, karakteristike për Gjirin Persik, por ato mbeten problem gjatë seancave stërvitore. Megjithatë, Stërmasi ka theksuar se mbetet optimist sa i përket paraqitjes së sportistes së tij, e cila, pak javë më parë, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në garën hibrid të 2,000 m me pengesa, që u zhvilluar në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin. Botërori i Atletikës për Të Rritur që nis në kryeqytetin e Katarit Doha do të zgjasi 10 ditë.
BURIMI: www.rtsh.al