Unai Emery iu ka kërkuar lojtarëve të Arsenalit të votojnë për ta zgjedhur kapitenin e parapëlqyer, shiritin e të cilit e ka mbajtur Granit Xhaka deri tani këtë sezon.
Trajneri spanjoll, që e mori drejtimin e
Arsenalit në verën e vitit 2018, i kishte përzgjedhur pesë futbollistë për
shiritin e kapitenit, por shumica prej tyre nuk janë më pjesë e klubit, pasi Laurent
Koscielny, Petr Cech dhe Aaron Ramsey janë larguar tashmë gjatë verës,
transmeton Gazeta Express.
Granit Xhaka – mesfushori nga Kosova i
Kombëtares së Zvicrës – e ka mbartur shiritin e kapitenit për “Topçinjtë” deri
tani këtë sezon në Premierligë, por ende nuk e ka dëshmuar veten në këtë rol,
pasi edhe tifozët e vet e fishkëllyen gjatë fitores së Arsenalit kundër Aston
Villas në fundjavë.
Ndërsa, i pesti në listën e kapitenëve të
Emery, Mesut Ozil, është ende pjesë e klubit por jo titullar i rregullt.
Mbrojtësi Rob Holding, i cili e mori
shiritin e kapitenit pasi Ozil u zëvendësua në fitoren e Arsenalit 5:0 kundër
Nottingham Forest në Carabao Cup, ka zbuluar se Emery e ka hedhur në votim
shiritin e kapitenit.
“Atij i pëlqejnë pesë kapitenët e tij. Votuam
javën e kaluar, prandaj do ta shohim se çfarë ndodh dhe kush emërohet kapiten”,
zbuloi Holding.
“Ne i shkruam emrat në letër dhe ia dorëzuam
trajnerit”, shtoi ai. /Gazeta Express/